Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zymer Krasniqi, emri i të cilit u mbulua nga ai i Lumezit do zbardhjen e manipulimit

Zymer Krasniqi, emri i të cilit është mbuluar me atë të Aleksandër Lumezit në dosjen e provimit të jurisprudencës, ka rrëfyer për Kohavisionin dhe Betimin për Drejtësi, se i ka ndjekur të gjitha procedurat për ta dhënë provimin e jurisprudencës.

Ai kërkon zbardhjen e manipulimit të dosjes së tij. Krasniqi, në verën e 91-s e kishte braktisur Prapaqanin, fshat në Deçan për t’u zhvendosur në Starnberg të Gjermanisë, ku e ndërtoi jetën nga e para.

Ani pse ishte jurist i diplomuar dhe kishte hyrë në të gjitha fazat për të dhënë provimin e jurisprudencës, Zymer Krasniqi, si emigrant nisi punën si një punëtor i pakualifikuar.

Jeta e tij ishte e qetë deri në momentin kur pa në televizor, se dosja e provimit të tij të jurisprudencës ishte manipuluar, ka rrëfyer ai për Kohavisionin dhe Betimin për Drejtësi. Ai thotë se nuk i ka ardhur mirë që emri i kryeprokurorit ndodhet në dosjen e tij dhe kërkon që historia të zbardhet.

Zymer Krasniqi, që tash mban mbiemrin Tahiri, insiston dhe thotë se mban mend që ka përfunduar praktikën në Gjykatën e Deçanit. Kishte paraqitur provimin në tetorin e 90-s, i ishte nënshtruar atij në shkurt, madje thotë se ka hyrë edhe në provimin me gojë.

Edhe Zymer Krasniqi pritet të dëshmojë në “Dosjen Lumezi” Arbëri Zymer Krasniqi pritet të dëshmojë në “Dosjen Lumezi”

Të martën e shkuar, 31 tetor 2017, Zymer Tahiri, është marrë në pyetje nga Policia. Por, ai thotë se nuk i është treguar në çfarë cilësie është marrë në pyetje. Thotë të mos ketë marrë avokat, pasi e konsideron veten profesionist të kësaj fushe.

Të gjitha shpenzimet e qëndrimit të tij dyditor në Kosovë, thotë se ia pagoi shteti.

Zymer Krasniqi, i cili tashmë quhet Zymer Tahiri, thotë se mbiemrin e kishte ndërruar pasi në Prapaqan të Deçanit shumica e banorëve janë Krasniqi.

Por, shtetësia e tij vazhdon të jetë kosovare, ani pse ka vite që jeton në Gjermani. Sidoqoftë, emri i tij nuk figuron në asnjë dosje të provimit të jurisprudencës, kjo pasi mbi dosjen e tij u ndërtua dosja e Aleksandër Lumezit.

Hetimet për këtë po kryhen nga departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ato po udhëhiqen nga Kujtim Munishi, i cili për kohë të gjatë ka punuar në zyrën e Lumezit.

Edhe Lumezi i akuzuar se falsifikoi jurisprudencën, emërohet në krye të Komisionit për këtë provim Arbëri Lumezi i akuzuar se falsifikoi jurisprudencën, emërohet në krye të Komisionit për këtë provim

Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon hetime të pavarura për dosjen e manipuluar të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për dhënien e provimit të jurisprudencës, përmes krijimit të një ekipi të prokurorëve të EULEX-it me prokurorë amerikanë, britanikë dhe gjermanë.

“Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit hyn në kuadër të pozitave më të rëndësishme në Kosovë, e cila duhet të përçojë besim te qytetarët, se kompetencat dhe përgjegjësitë e tij ushtrohen në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të drejtë. Kryeprokurori i Shtetit duhet të këtë integritet të pakontestuar dhe kredibilitet të fortë për të përçuar te publiku besim dhe siguri. Për këto arsye, duke u bazuar në hulumtimet e ekipit “Betimi për Drejtësi” dhe Kohavision, të cilat kanë faktuar manipulimin e dosjes së provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, IKD-ja kërkon hetime të pavarura, të paanshme dhe profesionale”, thuhet në njoftimin për media.