Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka deklaruar se Kosova do të bëjë kërkesë formale për ekstradimin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i përfshirë në sulmet në veri, por sipas tij, ky nuk është opsioni i vetëm.
Ai ka deklaruar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se kjo kërkesë nuk do të zbatohet nga autoritetet serbe, derisa ka thënë se kërkesa për ekstradim duhet të bëhet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Sipas Zybës, ekstradimi nuk do të jetë kërkesa e vetme ndaj Serbisë.
“Masat ndaj Serbisë do të jenë më intensive, do të ketë kategorizim të akteve e edhe të procedurave. I mbetet secilit shtet e faktorëve përgjegjës për vendime e masa, edhe si shtet edhe për struktura kriminale terroriste. Kërkesa (për ekstradim) gjithmonë iniciohet nga shteti ku ka ndodhur akti. Mbetet përgjegjësi e organeve tona të procedohet sepse ashtu e kërkon rendi. Pos që garantojmë siguri e obligimet tona ligjore, do të japim kontribut sepse terrorizmi kudo që ndodh është cenim në botë...Bazuar në mënyrën e organizimit, në realizim të projekteve, konsiderohet se ekstradimi mund të mos jetë zgjidhje, por obligim fillestar po. Ekstradimi është kërkesë, por s’është i mjaftueshëm pasi nuk zbatohet njëanshëm nga Serbia”, ka thënë ai.
Deputeti i partisë në pushtet ka deklaruar se Qeveria Kurti kishte paralajmëruar për sulme të tilla të formacioneve serbe, derisa ka përmendur se masat e sigurisë janë marrë, por këto siç ka thënë ai “duhet të bëhen edhe nga shtetet aleate”.
Zyba ka theksuar se Policia e Kosovës ka parandaluar një përshkallëzim të situatës në veri, por sipas tij, ekzistojnë rrethanat që Serbia të nisë sulme të tjera.
“Këta mund të jenë më mirë të përgatitur, por s’ka garanci nga Serbia se do të dorëzohen e s’do të veprojnë prapë njëjtë. Nëse s’merren masa, me metoda të tjera mund të përsëriten. Rreziku ekziston nëse mirëmbahet se do të shohim mundësinë se si të mbrohen. Mënyra si ka përfunduar si proces tregon se është parandaluar përshkallëzimi. Përgjegjësia bie mbi autoritetet shtetërore të Serbisë”, ka thënë ai.
Deputeti Zyba ka potencuar se aktualisht nuk ka rrethana për vazhdim të dialogut.
“Dialogu s’është urgjent, por komunikimi me partnerët ndërkombëtarë, të krijohen parakushte. S’mund të kemi rregullim të raporteve me situatë të tensionuar... Është situatë më e qartë. Befasia që ka ndodhur mund të ketë përmasa të njëjta edhe për faktorin ndërkombëtar për një situatë të palakmueshme”, ka shtuar Zyba.