Arbëri

Zvicra thotë se rishkrimi i kufijve asnjëherë nuk ka funksionuar

Foto: Ksp

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean Hubert Lebet, është shprehur kundër përfshirjes së temës së ndryshimit të kufijve për të arritur një marrëveshje me Serbinë.

Këto komente ai i bëri në tryezën e organizuar nga KDI-ja për procesin e dialogut, transmeton KTV.

"Pikë së pari, mund të them që rishikimi i kufijve asnjëherë nuk ka funksionuar. Kjo nuk ka dhënë paqe të qëndrueshme. Nëse nuk kujdesen vazhdimisht për paqen, të njëjtat gjëra do të jenë të gjalla edhe pas lëvizjes së kufijve, madje vetëm sa do të bëhen edhe më të komplikuara. Mësimi tjetër është se mos bëni asnjëherë marrëveshje me zor, madje edhe më pak për këto imponimet për të shtyrë me forcë përpara. Më lejoni të kujtoj çfarë tha presidenti Trump: 'mos u nxitoni, mos u nxitoni', kjo është në Guardian më 27 shkurt dhe mund ta gjeni aty. Mësimi i tretë është se nuk ka asnjë model ku duhet të merret model për ndonjë vend. Nënshkrimi i një marrëveshjeje nuk është mësimi kryesor. Nëse palët nuk dëshirojnë të arrijnë tek një marrëveshje, atëherë kjo nuk do të ndodhë", ka thënë ai.

Në këtë tryezë me temën “Si e sheh Delegacioni Shtetëror të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi”, nuk janë duke marrë pjesë dy bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.