Arbëri

Zvarritet ndarja e shpërblimeve për nxënësit fitues të programit nacional për rini

Ndonëse në muajin qershor dhe korrik Zyra e koordinatorit nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, i ka shpallur nxënësit fitues të garave të mbajtura në kuadër të Programit Nacional për Rininë, fituesve ende nuk u janë ndarë shpërblimet, shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë çështje kanë shprehur zhgënjim nxënësit, e edhe vetë udhëheqësit e shkollave të cilët thonë se është e pakuptimtë kjo vonesë.

Qeveria e Kosovës, këtë vit i ka ndarë 1 milionë euro për realizimin e programit nacional për rininë. Në kuadër të këtij programi është organizuar “Gara nacionale e diturisë”, e cila është ndarë në nivel të shkollës, në nivel komunal dhe në nivel republikan, si dhe “Gara për kreativitet kulturor dhe mendim kritik”, e cila po ashtu është mbajtur në nivel të shkollës, në nivel komunal dhe në atë republikan. Në të dyja garat, shpërblimi më i madh ka qenë 400 euro, derisa më i vogli 80 euro. Shpërblimet e tjera kanë përfshirë pjesëmarrjen e nxënësve në kampe kreative, set librash në vlerë prej 50 eurosh, derisa për nxënësit fitues në nivel shkolle janë paraparë vetëm certifikata. Asnjë nga këto shpërblime deri tash nuk është realizuar.

Zyra e koordinatorit nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, nuk ka treguar kur saktësisht do t’i ndajnë shpërblimet për nxënësit fitues.

(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)