Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zulfaj: Kemi garanci për Asociacion pa kompetenca ekzekutive

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, e për këtë ka thënë se Qeveria ka garanci të forta.

Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së të enjten se Asociacionit nuk do t’i jepet asnjë nga kompetencat e Ministrisë së Arsimit dhe të drejtorisë komunale në nivel komunal, pasi kjo sipas tij, do të nënkuptonte shtresën e tretë të qeverisjes.

“Asnjë nga kompetencat që i takojnë Ministrisë së Arsimit në çështjen e arsimit dhe të drejtorisë komunale në nivel komunal nuk do t’i jepet, sepse kjo do të nënkuptonte shtresën e tretë të qeverisjes, që nuk do t’i ketë. Prandaj, nuk do të lejohet e as nuk do të pranohet e s’është ky kuptimi i Nenit 7 e as si e interpretojmë ne trashëgiminë e kaluar”, ka deklaruar Zulfaj.

Ai u shpreh se shtetet aleate të Kosovës janë të përfshira në procesin e marrëveshjes, duke ofruar garanci.

“Kemi kërkuar që marrëveshja të nënshkruhet, edhe aneksi. Serbia refuzoi të nënshkruante pa aneks, u bë edhe aneksi, nuk pranoi të nënshkruante. Jemi në proces ku edhe partnerët dhe aleatët janë të inkuadruar, marrëveshja është edhe me garancitë e tyre. Nëse është në nivel të obligueshëm (marrëveshja), të dy palët kanë obligime të njëjta. Që kthehen në obligime drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai.

Edhe Zulfaj: Serbisë iu dha statusi kandidat pa e njohur Kosovën, ne po kushtëzohemi Arbëri Zulfaj: Serbisë iu dha statusi kandidat pa e njohur Kosovën, ne po kushtëzohemi

Sipas këshilltarit të kryeministrit Kurti, nenet e marrëveshjes janë obligime për dy palët, e Serbia, siç ka thënë ai, duhet ta respektojë Kosovën si palë e barabartë dhe si shtet të zotohet “të mos e pengojë për anëtarësim”.

“Ne jemi palë konstruktive në dialog e këtë e kemi dëshmuar. Kurti ka propozuar të bëjë një statut që Vuçiqi s’e pranoi. Janë projekte të përbashkëta për të dy shtetet... Ne jemi vend i pavarur, njohja nga Serbia s’na e shton pavarësinë apo s’na bën të ndihemi më të pavarur. Ne s’e njohim njëra-tjetrën, s’kemi raporte me njëra-tjetrën”, ka thënë Zulfaj.

Zulfaj ka shtuar se nuk është në dijeni nëse kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, ka iniciuar notë verbale në Bashkimin Evropian ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ditë më parë u shpreh se do të pengojë inkuadrimin e Kosovës në OKB.

Kosova dhe Serbia në fund të shkurtit u pajtuan për përmbajtjen e Planit evropian për normalizim raportesh në mes të dyja shteteve. Më 18 mars në Ohër, Kurti dhe Vuçiqi u dakorduan për aneksin e zbatimit të Planit evropian. Edhe pse nuk u nënshkrua, marrëveshja u konsiderua e obligueshme nga ndërmjetësit evropianë.


Zulfaj: Nënshkrimi do ta bënte marrëveshjen më tepër ligjërisht të detyrueshme

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar se nënshkrimi i marrëveshjes së arritur midis Kosovës dhe Serbisë më 18 mars në Ohër, do të ishte një karakter shumë më tepër ligjërisht i detyrueshëm.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Zulfaj ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do ta forconte propozimin për të cilin palët kanë marrë obligime.

“Në kuptimin e obligimeve që kemi marrë, tashmë do të ishte një karakter shumë më tepër ligjërisht i detyrueshëm. Mendoj se do ta forconte, pastaj propozimi është palët kontraktuese dhe palët kontraktuese duhet të vijnë dhe ta nënshkruajnë marrëveshjen. Kjo është ideja. Ne kemi insistuar dhe kemi qenë konstruktiv në këtë insistim dhe keni parë që në fund pala tjetër i ka ikur nënshkrimit. Kemi kërkuar edhe nga BE-ja dhe presidenti i Serbisë në prani të BE-së ka thënë se do ta nënshkruajë me aneks. Por kur erdhi aneksi, nuk e nënshkroi”, ka thënë ai.

Edhe Zulfaj thotë se Kurti bëri kompromis, fajëson opozitën për situatën në të cilën ndodhet vendi Arbëri Zulfaj thotë se Kurti bëri kompromis, fajëson opozitën për situatën në të cilën ndodhet vendi

Zulfaj ka shtuar se nga pala kosovare nuk do të pranohet që marrëveshja të zbatohet vetëm nga njëra palë.

“Ikja nga zbatimi do të jetë e dënueshme dhe ne do të jemi aktivë edhe në këtë drejtim. Nuk do të pranohet që të zbatohet në mënyrë të disbalancuar apo që të kërkohen veprime vetëm nga njëra palë”, është shprehur ai.