Arbëri

ZPS-ja për dëshmitarin serb: U ndalua në Suharekë gjatë luftës

Dëshmitari i Zyrës së Prokurororisë së Specializuar (ZPS), Dejan Jevtiq, nisi dëshminë të hënën në Dhomat e Specializuara në Hagë, në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Prokurori Cezary Michalczuk, në përmbledhjen para dëshmisë së Jevtiqit, tha se ai është nga fshati Muhlan i Suharekës dhe është ndaluar në fshatin Budakovë.

“Më apo rreth 4 korrikut 1998, person i etnisë serbe nga fshati Muhlan i Suharekës, së bashku me dy të afërm të tij afër (nuk kuptohet) nga dy shqiptarë të armatosur, me uniforma të zeza. Serbët janë dërguar në një shtëpi në Budakovë ku i janë lidhur sytë dhe duart...Më pas ata janë rrahur me pushkë dhe me zinxhirë dhe janë hedhur në një bunker pas një shtëpie ku janë marrë në pyetje”, ka thënë prokurori.

Sipas tij, dëshmitari Jevtiq është marrë në pyetje në Muhlan dhe i është thënë që ja kanë vrarë babanë.

“Të dy serbët e tjerë po ashtu i kishin marrë në pyetje. Të tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi rreth 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë. Ata i kanë thënë dëshmitarit se konsideroheshin tradhtarë që bashkëpunonin me policinë serbe. Dëshmitari dhe të ndaluarit e tjerë serb janë liruar me 5 korrik 1998”, ka thënë Michalczuk.

Ai ka shtuar se Jevtiq nuk ishte kthyer më në fshatin e tij dhe kishte mësuar se shtëpia e tij “ishte shkatërruar pasi të afërmit e tij ishin larguar nga Kosova në qershor të vitit 1999”.

“Dëshmitari ka pasur nevojë për trajtim mjekësor për lëndimet e marra”, ka shtuar ai.