“Së pari u dërguam në shtëpinë e Lumni Palushit, në kopshtin e shtëpisë. Në oborrin e shtëpisë së tij ishte një bunker ku u morëm në pyetje dhe pastaj nga bunkeri, mbase një apo dy kilometra më tej, mua më çuan me veturë të tipit ‘Lada’, na çuan atje. Domethënë Thaçi ishte një ose dy kilometra më larg sesa shtëpia”, ka deklaruar Jeftiq
Dëshmitari Dejan Jeftiq ka pretenduar se ish-presidenti Hashim Thaçi ishte prezent në kohën kur ishte ndaluar në rajonin e Suharekës.
Gjatë dëshmisë në procesin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, Jeftiq ka deklaruar se fillimisht ishte ndaluar në shtëpinë e Lumni Palushit në Budakovë në korrik të vitit 1998.
Jeftiq, i cili gjatë së enjtes iu përgjigj pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve dhe trupit gjykues, përmendi prezencën e Thaçit pas largimit nga kjo shtëpi te një shtëpi dy kilometra më tej, që, sipas tij, ishte e Jahir Kokollarit.
“Së pari u dërguam në shtëpinë e Lumni Palushit, në kopshtin e shtëpisë. Në oborrin e shtëpisë së tij ishte një bunker ku u morëm në pyetje dhe pastaj nga bunkeri, mbase një apo dy kilometra më tej, mua më çuan me veturë të tipit ‘Lada’, na çuan atje. Domethënë Thaçi ishte një ose dy kilometra më larg sesa shtëpia”, ka deklaruar ai.
Kur u pyet për mbiemrin Krasniqi dhe emrin Jakup që e ka përmendur gjatë dëshmisë së tij në Prokurori, ai është shprehur se nuk e njihte e as nuk e ka parë Jakup Krasniqin dhe se emrat e të akuzuarve i ka dëgjuar pas luftës.
U shpreh i bindur se në Budakovë, në afërsi të stacionit të autobusëve, ku ishte i ndaluar, ishte Shtabi i Përgjithshëm, por ka shtuar se nuk e mban mend nëse ushtarët e UÇK-së kanë pasur stema nëpër uniformat e tyre apo jo.
Jeftiq ka deklaruar se ishte në traktor me dy familjarë të tjerë kur u ndal nga pjesëtarë të UÇK-së dhe se nuk e dinte se në traktorin e xhaxhait të tij ishe një pushkë gjuetie dhe një pistoletë.
“Unë nuk isha në dijeni që ekzistonin këto armë, nuk e dija që armët ishin në traktor. Armët i zbuluan ata”, u shpreh ai.
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, e pyeti nëse ka ndonjë arsye për të cilën nuk e ka përmendur çështjen e armëve.
“Sipas dëshmisë ose sipas dokumenteve të ZPS-së, nuk thuhet që pushka dhe pistoleta nuk ishin tuajat”, pyeti Kehoe.
E dëshmitari u përgjigj se askush nuk e ka pyetur paraprakisht për këtë çështje.
“Jo, sigurisht që jo, sepse askush nuk më ka pyetur se a ishin ato armët e mia”, ka thënë Jeftiq.
Dëshmitari ka thënë se ka pasur vazhdimisht marrëdhënie të mira me shqiptarët e fshatit dhe se beson se kërkesat e fqinjëve të tij shqiptarë kanë bërë që ai të lirohet pas ndalimit në Budakovë.
Në përmbledhjen që e ka dhënë Prokuroria lidhur me këtë dëshmitar, ka thënë se ai është ndaluar në Budakovë dhe se i janë lidhur sytë e duart. Sipas ZPS-së, ai ishte keqtrajtuar.
“Më apo rreth 4 korrikut 1998, person i etnisë serbe nga fshati Muhlan i Suharekës, së bashku me dy të afërm të tij afër (nuk kuptohet) nga dy shqiptarë të armatosur, me uniforma të zeza. Serbët janë dërguar në një shtëpi në Budakovë ku u janë lidhur sytë dhe duart...Më pas ata janë rrahur me pushkë dhe me zinxhirë dhe janë hedhur në një bunker pas një shtëpie ku janë marrë në pyetje”, ka thënë prokurori Cezary Michalczuk, në përmbledhjen e bërë më 11 dhjetor 2023.
Në Budakovë, sipas Prokurorisë, ai është marrë në pyetje dhe është ndaluar bashkë me disa serbë dhe shqiptarë.
“Të dy serbët e tjerë, po ashtu, i kishin marrë në pyetje. Të tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi rreth 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë. Në aktakuzë thuhet se rreth 12 persona ishin të ndaluar në Budakovë në periudhën ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999. Ata i kanë thënë dëshmitarit se konsideroheshin tradhtarë që bashkëpunonin me policinë serbe. Dëshmitari dhe të ndaluarit e tjerë serbë janë liruar më 5 korrik 1998”, ka thënë prokurori Michalczuk.
Një pjesë e madhe e dëshmisë së Jeftiqit është mbajtur në seancë të mbyllur. Mbyllja e seancës është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, për ruajtjen e identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur.
Në bazë të versionit të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të 2023-tës, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadi Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Të akuzuarit siç pretendohet në aktakuzë janë përgjegjës personalisht në frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të ndaluar nëpër qendra ndalimi.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi kanë thënë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe komandat lokale, e edhe më pak për veprimet e këtyre komandave.