Në 22 shkolla të vendit Ministria e Arsimit gjatë 2024-s ka paguar mbi 60 mijë euro për libra të fëmijëve që nuk i përmbushnin kushtet, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm. Po ashtu, raporti evidenton mbi 900 raste të paidentifikuara nga shkollat, ndërsa afro 45 mijë euro ende nuk janë shpërndarë për nxënësit përfitues nga viti i kaluar.
60 mijë e 780 euro i pagoi Ministria e Arsimit për subvencionim të nxënësve me libra në 22 shkolla të vendit, por të cilët nuk i përmbushnin kriteret, ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për pasqyrat financiare vjetore për vitin 2024.
Në vitin shkollor 2024/2025, shuma që i takoi secilit fëmijë për blerje të librave dhe materialeve shkollore ishte 80 euro për klasat 1 deri 5, teksa për nxënësit e klasave 6 deri 9, 110 euro.
Aplikimi u bë përmes platformës online E-Kosova.
Por, sipas ZKA-së, jo të gjithë ata që ishin të përfshirë në lista i kishin plotësuar edhe kushtet e kërkuara.
“Ne kemi vërejtur që kemi përfitues fëmijë që e kanë moshën 5 vjeç dhe nuk e kanë filluar shkollimin, si dhe 15 vjeç dhe e kanë përfunduar shkollimin e mesëm të ulët dhe tani janë duke ndjekur shkollimin e mesëm të lartë. Këtyre rasteve platforma jua lejon marrjen e subvencionit, edhe pse nuk u takonte. Gjithashtu, në këtë grup të qytetarëve ka fëmijë që janë larguar nga Kosova dhe nuk janë banorë rezidentë”, thuhet nga raporti i Auditimit.
Në raportin e ZKA-së theksohet se ishin 308 nxënës të nivelit parafillor, që përfituan në vlerë afro 25 mijë euro pa i plotësuar kriteret, mbi 180 nxënës të shkollës së mesme, që i përfituan më shumë se 20 mijë euro.
Pa kritere përfituan edhe mbi 150 fëmijë që janë jashtë vendit, e që shuma totale i arrin 14 mijë euro, si dhe 18 raste kur fëmijët e kanë braktisur shkollën, por që i përfituan afro 1 mijë e 900 euro për subvencionimin e blerjes së librave.
Sipas ZKA-së, pati edhe raste kur identifikimi i aplikuesve nuk ishte i mundur.
“Gjatë konfirmimeve ne i hasëm, po ashtu, edhe 942 raste në vlerë prej 78.090 euro, të cilat ishin të paidentifikuara për shkollat nga e cila është bërë aplikimi. Sa për sqarim, në këto raste ekziston mundësia që të kualifikohen si individë që gabimisht e kanë përzgjedhur shkollën gjatë aplikimit ose të atillë që u takojnë katër kategorive të mësipërme”.
Në raport thuhet që subvencionimi i fëmijëve që nuk i plotësojnë kriteret ka ndodhur për shkak se në E-Kosova aplikimi iu mundësua secilit person dhe se nuk pati ndonjë kufizim që i filtron ata që nuk i plotësojnë kriteret.
Në Ministrinë e Arsimit nuk u pajtuan me gjetjet, për çka ia ofruan ZKA-së disa nga masat që i kanë ndërmarrë për ta parandaluar keqpërdorimin e subvencioneve nga aplikuesit.
“Gjatë procesit të aplikimit është paraparë që çdo aplikues të deklarojë, nën përgjegjësi ligjore, se i plotëson kushtet për përfitim të subvencionit. Ky mekanizëm është vendosur për ta përforcuar përgjegjësinë individuale dhe për ta zvogëluar rrezikun e deklarimeve të pasakta. Formimi i Grupit Punues për Verifikim e Aplikimeve me vendimin nr. 01B-162, MASHTI e ka formuar një grup punues për verifikimin e aplikimeve, menjëherë pas hapjes së thirrjes publike për aplikim”, ka thënë Ministria e Arsimit.
Në raport theksohet se ka ende fëmijë që nuk i kanë marrë mjetet e subvencionimit për vitin 2024, e shuma totale e tyre është gati 45 mijë euro.