Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zjarri në deponinë e Sferkës nuk shuhet as pas të reshurave

Deponia e Sferkës

Prej tetë ditësh, deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës vazhdon të jetë e përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të dendur dhe shqetësim te banorët e zonës. Ata kanë vazhduar protestën dhe kanë kërkuar që krahas shtimit të ekipeve për ta ndalur zjarrin, të intensifikohen edhe hetimet për të

Reshjet e dy ditëve të fundit nuk e kanë shuar zjarrin në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës.
Banorët e fshatrave përreth kanë vazhduar protestën, duke shprehur shqetësimin për ndotjen e shkaktuar.

Ata kanë thënë se duhet të shtohen ekipet emergjente dhe u kanë bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin veprime sa më të shpejta.

"Ne kemi nisur të shtunën me protestu. Kanë ardhur komandantët e policisë dhe na kanë dhënë premtime se do të ndërmarrin masa, por ato që folën nuk dolën të vërteta. U detyruam të dalim përsëri në protestë. Po e shihni edhe vetë tymin në të gjitha anët. Nuk mundemi me qëndru as në shtëpitë tona", ka thënë Xhevat Aliu, protestues.

E një protestues tjetër ka thënë se prej se është hapur kjo deponi, banorët kanë pasur probleme.

"Prej se është sjellë kjo deponi këtu, kemi pasur probleme me të. Së pari janë erërat e rënda, pastaj qentë endacakë grumbullohen këtu dhe vijnë nga të gjitha anët. Jemi të rrezikuar, sidomos fëmijët dhe familjet, veçanërisht në mbrëmje. Përveç kësaj, era dhe tymi janë përhapur edhe në fshatrat e tjera. Ky tym është helm", ka thënë protestuesi.

Edhe Prokuroria: Do të ketë arrestime nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njerëzit Arbëri 13 o. më parë Prokuroria: Do të ketë arrestime nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njerëzit

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Valmir Deçani, ka thënë se ekipet emergjente po punojnë për shuarjen e zjarrit.

“Drejtoria e Emergjencave është në terren. Zjarrfikësit, siç e ceka edhe më herët, janë aty, por edhe FSK-ja, pasi jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. Po bëjmë të pamundurën për ta lokalizuar zjarrin, edhe pse vatra është shumë e madhe. Me sa duket, bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme”, ka thënë Deçani.

Pas zjarrit, Prokuroria ka autorizuar policinë për të zhvilluar hetime.

"Gjatë ditës së sotme, Prokurori i Shtetit ka kërkuar që në Prokurorinë Themelore në Pejë të dorëzohen edhe gjetjet e inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit, të cilët janë angazhuar për vlerësimin e ndotjes së mjedisit të shkaktuar nga zjarri, ndotje e cila ka prekur fshatrat përreth dhe qytetin e Pejës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Edhe Zjarri në Deponinë e Sferkës, një protestues dërgohet në Emergjencë Arbëri 22 o. më parë Zjarri në Deponinë e Sferkës, një protestues dërgohet në Emergjencë

Si pasojë e tymit të shkaktuar nga zjarri, një nga protestuesit është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa disa të tjerë kanë marrë trajtim në vendin e ngjarjes.

Pasi deponia ka marrë flakë, janë shkëmbyer akuza mes pushtetit e opozitës për situatën në të. LDK-ja ka fajësuar Ministrinë e Mjedisit, ndërsa ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, ka thënë se deponia menaxhohet nga Komuna e Pejës, të cilën e drejton LDK-ja.