Prokuroria e Kosovës ka njoftuar se është autorizuar një ekspert për të përcaktuar shkaqet e zjarrit në deponinë e Sferkës në Pejë.
Përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se nëse rezultatet dalin se lidhet me faktorin njeri, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të arrestuar personat përgjegjës.
Tutje ka rikonfirmuar se një person është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, kurse në vendin e ngjarjes trajtim kanë marrë disa persona.
“Në vendin e ngjarjes janë disa persona të cilët janë duke protestuar. Si pasojë e situatës së krijuar, në vendngjarje janë Policia e Kosovës, ekipet emergjente dhe zjarrëfikësit. Prokurori i shtetit ka kërkuar që të shtohen masat e ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes për të lokalizuar zjarrin. Njëkohësisht javën e kaluar kur ka kapluar zjarri këtë deponi të mbeturinave, përveç Policisë së Kosovës, prokurori i shtetit ka autorizuar edhe ekspertin e zjarreve për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të deponuar në Prokurori raport lidhur me të gjeturat”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Të hënën, drejtori i Spitalit të Pejës, Fahri Hasani, ka thënë se personi i cili është dërguar në Spitalin e Pejës, ka pasur shenja të intoksimit me monoksid karboni.
“Një person është pranuar me shenja të intoksimit me monoksid karboni, marramendje dhe frymëzënie të lehtë, me parametra vital stabil. Pas trajtimit në repartin e Emergjencës ai pritet të lirohet në shtëpi”, ka thënë Hasani për KOHËN.
Edhe
Zjarri në Deponinë e Sferkës, një protestues dërgohet në Emergjencë
Rastin e helmimit e ka konfirmuar për KOHËN edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci.
Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ka deklaruar që deponia nuk është nën menaxhimin e saj, por të Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Ambienti”, ku Komuna e Pejës është aksionari kryesor. Paraprakisht, ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli dhe deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, janë përplasur pasi kjo e fundit ka dorëzuar Kallëzim Penal për mosmenaxhimin e asaj deponie dhe dëmin që iu shkaktohet banorëve, veçanërisht nga tymi i saj tashmë që po digjet. Pacolli i është kundërpërgjigjur se deponia nuk menaxhohet nga ministria por niveli lokal.