Njësia e zjarrfikësve në Malishevë, pas një intervenimi të suksesshëm në orët e mbrëmjes, e kanë shuar zjarrin në malet mes Gurbardhit dhe Turjakës, në Komunën e Malishevës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Zjarri i cili kishte përfshirë disa hektarë mal, ishte shuar përreth një orë. Bashkë me zjarrfikësit në vend ngjarje ka dalë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili ka apeluar për kujdes të shtuar, transmeton Koha.net.
Berisha ka konfirmuar se zjarrfikësit me të marrë informacionin kanë intervenuar në shuarjen e zjarrit, detyrë e kryer me sukses, i cili kishte kapluar një sipërfaqe të madhe të malit.
Ai më tutje ka bërë apel te “të gjithë qytetarët, e sidomos tek ata të cilët shkojnë në mal, qoftë për dru, për t’i kullosë bagëtitë, apo për rekreacion, që të bëjnë kujdes të shtuar, që mos t’i hedhin cigaret e ndezura, të mos ndezin zjarre dhe t’i lënë ndezura, dhe në çdo mënyrë të kenë kujdes, që mos ti djegim malet, pasi përveç maleve, rrezikohet edhe jeta e qytetarëve”.
