Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Zhvillimet e fundit”, temë diskutimi mes Osmanit dhe Hovenierit

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur të enjten në takim të rregullt ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Presidenca ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit, përfshirë ato në dialogun me Serbinë, si dhe përgatitjet lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri.

“Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë çështjesh në rrafshin e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetmë të forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe çështje të tjera të interesit të ndërsjellë”, thuhet më tej në njoftim.

Ambasadori Hovenier, në një deklaratë për media pas takimit që pati të enjten me kryeministrin Albin Kurti, ka shprehur drojë se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja në veri për shkak të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, që thotë se euroja është e vetmja valutë zyrtare në vend, dhe që ndalon dinarin serb, me të cilin komuniteti serb në veri ka marrë mjete nga Serbia.