Zgjedhjet elektronike për Parlament e Këshilla Studentorë në Universitetin e Prishtinës kanë hasur në probleme teknike në mëngjesin e së premtes.
Shkaku i dërgimit të emaileve të shumta automatike, siç kanë thënë në UP, sistemi Firewall i Google e ka bllokuar emailin që përdoret për dërgimin e kodeve konfirmuese, pasi e ka perceptuar si kërcënim.
Mbi 1.000 vota janë regjistruar deri më tani dhe rreth 4 për qind e studentëve me të drejtë vote kanë votuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se është duke e kontaktuar Google për t’i rregulluar problemet teknike.
Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve të UP-së, Florent Muçaj, ka thënë se periudha e votimit do të kompensohet duke e zgjatur për aq orë sa do të zgjasë rregullimi i emailit konfirmues të UP-së që përdoret për zgjedhje.
Muçaj ka thënë se rasti nuk është sulm kibernetik.
Vëzhgues të këtyre zgjedhjeve janë delegatë të organizatave studentore dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ORCA).
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është e shqetësuar me lëshime të tilla. Sipas saj, procesi zgjedhor duhet të anulohet nëse vazhdon të ketë probleme me sistemin e votimit.