Më 7 shtator Gabriel Escobar pritet të emërohet i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Zëvendësambasadori i SHBA-së në Serbi do ta zëvendësojë të dërguarin e deritanishëm të Departamentit amerikan, Matthew Palmer. Edhe pse konsiderojnë që puna e Palmerit ka qenë pasqyrë e qëndrimeve të administratës amerikane, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se përmirësimi i marrëdhënieve SHBA-BE ka qenë një nga të arriturat e tij
Me çështjet e Ballkanit Perëndimor nga java tjetër do të merret zëvendësambasadori i SHBA-së në Serbi, Gabriel Escobar. Më 7 shtator ai pritet ta zëvendësojë të dërguarin e deritanishëm të Departamentit amerikan, Matthew Palmer.
Puna e Matthew Palmerit gjatë dy vjetëve, sa ka mbajtur postin e emisarit të SHBA-së, nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare është duke u konsideruar pozitive. Për profesorin Dritëro Arifi, përmirësimi i raporteve BE-SHBA lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është ndër të arriturat e të dërguarit amerikan
“Pasi që pati ndryshim në Shtëpinë e Bardhë, atëherë z. Palmer së bashku me z.Lajçak, përfaqësuesin e lartë të BE-së, e arritën një bashkëpunim i cili nuk ka ekzistuar në ish-administratën e Trumpit”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, i dërguari i posaçëm i cili pritet të emërohet e njeh mirë rajonin dhe një gjë e tillë do të jetë përparësi. Por profesori Dritëro Arifi nuk pret edhe shumë nga zëvendës-ambasadori i SHBA-së në Serbi, Gabriel Escobar, sa u përket çështjeve që e prekin Kosovën, siç është dialogu me Serbinë. Kjo pasi, thotë ai, Escobar nuk do të jetë i emëruar vetëm për çështjen e Kosovës, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke përmendur ndryshimin e qëndrimeve të dërguarit të deritanishëm, Matthew Palmer, Emir Abrashi nga “Demokraci Plus”, thotë se të njëjtat kanë qenë të diktuara nga udhëheqja e administratës amerikane.
Sipas Abrashit, diplomatët e karrierës, siç ka qenë Palmer dhe është Escobar, nuk janë vendimmarrës, por vetëm zbatues të politikave.
Ai thotë se pavarësisht kush do të jetë i ngarkuar me këtë detyrë, Kosova duhet të shfrytëzojë mundësitë e ofruar, në krah të udhëheqjes aktuale.
“Ne duhet ta shohim këdo që vjen pas z. Palmer si një platformë për t’iu qasur Departamentit amerikan të shtetit dhe si një mënyrë për të ndikuar në vendimmarrje, por megjithatë edhe pasardhësi i z. Palmer nuk do të jetë vendimmarrës, do të jetë një person që i përçon mesazhet që vijnë nga lart”.
Lidhur me këtë çështje KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës, por gjatë së martës nuk ka pranuar përgjigje.
Në postin e zëvendësambasadorit të SHBA-së në Beograd, Gabriel Escobar është emëruar në gusht të 2019-s. Më herët ai kishte shërbyer si i ngarkuar me punë në këtë ambasadë.
Nga viti 1998 deri më 2001, Gabriel përfundoi katër turne radhazi në ish-Jugosllavi, ku ka shërbyer edhe si shef i stafit në Zyrën e përfaqësuesit të lartë në Banja-Llukë të Bosnjë-Hercegovinës, shef i degës së Ambasadës në Banja-Llukë, zëvendësdrejtor i ekipit të Zyrës ndërlidhëse diplomatike të SHBA-së në Podgoricë dhe më 2001, pak pasi u rihap Ambasada në Beograd, ka shërbyer si shef i Njësisë politike në Ambasadën amerikane. Ndërkaq, në Byronë për Çështje Evropiane, Gabriel ka shërbyer si këshilltar për çështje politike dhe ekonomike në Ambasadën në Lisbonë, zëvendëskëshilltar politik në Romë dhe zyrtar ushtarak politik në Pragë, si dhe zëvendëskonsull në Moskë.