Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zëvendësdrejtori i FMN-së thotë se Kosova duhet të ndjekë reformat në arsim, shëndetësi e infrastrukturë

Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang është takuar sot me ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe u.d të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti.

Zhang, në konferencën për media ka thënë se është shumë i lumtur që është në Kosovë dhe ka pasur mundësi të shohë Kosovën që ka një ekonomi të zhvilluar. Ai po ashtu ka uruar 10 vjetorin e pavarësisë dhe ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë me reforma në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.

“Natyrisht në takimet tona që kemi pasur rreth kësaj pasdite kemi qenë të inkurajuar tej mase me atë që kemi lexuar dhe me atë që kemi parë zhvillimet të cilat janë shënuar. Gjithashtu jemi inkurajuar me përkushtimin që kryeministri dhe i tërë ekipi kabinetit të tij vazhdimin e reformave të cilat janë nisur dhe janë duke u realizuar që disa vite tani. Kosova duhet ta mbajë këtë disipline fiskale të cilën e ka arritur dhe duhet të shënojë rritje edhe më të madhe në mënyrë që t’i përmbush aspiratat të cilat i ka para vetës. Kjo është edhe më e rëndësishme kur kemi parasysh faktin që Kosova është një vend i ri dhe ka një popullatë kryesisht të re. Punësimi sidomos për popullatën më të re të Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe do të duhet të trajtohet. Kam theksuar me homologët e mi që duhet të vazhdojnë të ndiqen reformat specifike sidomos në fushën e arsimit, shëndetësi, infrastrukturë në mënyrë që të përmirësohet qeverisja në përgjithësi në të gjitha këto fusha. Në mënyrë që mjedisi i të bërit biznes të përmirësohet dhe të krijohen rrjedhimisht vende të reja të punës”, tha Zhang.

Ai mendon që në këtë mënyrë duhet të krijohen kushte më të mëdha për investim më të madh të kapitalit vendor dhe atij të huaj në mënyrë që të rritet aftësia e Kosovës që të konkurrojë ekonomi rajonale dhe rrjedhimisht në atë globale.

“FMN do të bashkëpunojë edhe me më tutje me homologët tonë në Kosovë. Ne shohim që ka përfitime të mëdha në partneritetin që ne i krijojmë me vendet të ndryshëm dhe natyrisht këtë gjë mendojmë ta bëjmë edhe këtu. Në vazhdën e këtij bashkëpunimi do të ketë edhe asistencë financiare, këshillime në politika edhe ndihmë në mbështetje e ngritjes së kapaciteteve përmes asistencës të ndryshme”, tha Zhang.

Ministri i Financave Bedri Hamza, ka thënë se ky është niveli më i lartë i vizitës së FMN-së në Kosovë. Ai tha se Kosova ka përfituar në shumë segmente nga FMN-ja. Sidomos FMN ka qenë bartëse dhe përkrahëse e përgatisje dhe draftimit të legjislacionit me standardet shumë të larta.

Edhe FMN përgëzon Kosovën për stabilitet financiar Arbëri FMN përgëzon Kosovën për stabilitet financiar

“Kosova ka ndërmarr hapa të rëndësishme në forcimin e qëndrueshmërisë fiskale, forcimin e stabilitetit në sektorin financiar si dhe avancimin e reformave strukturore. Mirëpo gjithmonë do të kemi në konsideratë edhe rreziqet që janë para neve dhe nevoja për përmirësimin e strukturës së buxhetit por edhe rreziqet tjera të mundshme fiskale dhe sidomos nevoja për kufizimin e shpenzimeve rrjedhëse jo produktive. Sepse siç e dini në kontinentet gjithmonë ka kërkesa sidomos që lidhen me pjesën e transfereve sociale normal edhe te pjesa e pagave”, tha Hamza.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se zhvillimet në sektorin bankar janë shumë të favorshme edhe për sa i përket treguesve të shëndetit financiar, duke treguar se ka rënie të kredive jo performuese e cila tani ka zbritur në 3.1 për qind.