Arbëri

Zemaj: Shqetësuese është rritja e numrit të rasteve spitalore me COVID-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se aktualisht ndonëse është rritur numri i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë, përqindja në raport me pozitivitetin është stabile.

Zemaj ka thënë në mbledhjen e Komitetit anti-COVID se shqetësuese mbetet rritja e rasteve spitalore.

"Ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të rasteve. Përqindja në raport me pozitivitetin është stabile por shqetësuese janë rastet spitalore. Në rast se vazhdohet me rritjen siç ka qenë në ditët e fundit mund të jetë e papërballueshme për sistemin shëndetësor”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka thënë se gjatë vitit 2021 janë testuar 7000 mësimdhënës për COVID-19 prej të cilëve 2000 apo 31 për qind kanë rezultuar pozitiv.


16:25 - Ramadani: Është rritur numri i rasteve pozitive për 27,6 % krahasuar me dy javët paraprake

Naser Ramadani, drejtor IKPSHPK-së ka thënë në mbledhjen e Komitetit anti-COVID se numri i rasteve pozitive me koronavirus është rritur për 27,6 % në krahasim me dy javët paraprake.

Ramadani ka thënë se aktualisht numri mesatar me të prekur me COVID-19 është 619 ndërkaq në dy javët paraprake mesatarja ishte 444 raste në ditë.

Ndërkohë, sipas tij grupmosha më e prekur është 30-39 vjet.

“Duke përshkruar një rritje të numrit të rasteve, në mesataren 619 raste në ditë, në 24 orët e fundit janë testuar mbi 5 mijë mostra që kanë rezultuar 828 pozitive”, ka thënë Ramadani.

Ai ka bërë thirrje që të vazhdojnë të respektohen të gjitha masat anti-COVID sipas ligjit përkatës.