Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka dorëzuar propozimin për projektligjin e ri për shëndetësi. Në një konferencë për media ka thënë se ka proceduar “projektligjin për shëndetësi si nismë legjislative për të cilin kam marrë mbështetje edhe nga deputetët tjerë nënshkrues”.
Zemaj ka përmendur disa nga çështje që trajton kjo nismë.
“Propozon sistem funksional shëndetësor dhe të zbatueshëm që është qenësor përmes ligjit dhe harmonizimit të shëndetit parësor me sistem unik të vendit. Decentralizon dhe bën të zbatueshëm sistemin dytësor shëndetësor, funksionalizon pavarësinë e shërbimeve shëndetësore në nivel tretësor përmes QKUK, barazon në mënyrë të zbatueshme sistemin publik, publiko-privat dhe privat përmes përcaktimit të mënyrës së funksionimit të institucionit. Dhënies së lejes së përhershme për ofrim të kujdesit për institucionet private, përcakton ofruesit e shërbimeve shëndetësore, jep mundësinë e krijimit të instituteve të reja, si instituti i kujdesit shëndetësor për nënë dhe fëmijën, instituti i sëmundjeve të zemrën, psikiatrikes forenzike” e të tjera ishin mes çështjeve që përmendi Zemaj.
Zemaj shtoi se projektligji përmban 128 nene dhe sipas tij do të jetë lehtë i zbatueshëm, në dobi të qytetarëve, cilësisë së shërbimeve shëndetësore, favorizimin e të arriturave shkencore njerëzore duke siguruar qëndrueëshmëri të sistemit dhe profesionistëve.
“Sot e kemi dërguar në zyrën për parashtresa si nismë legjislative dhe presim përkrahje dhe miratimin e tij. Jemi të gatshëm jo vetëm të japim kritika por edhe të kontribuojmë në avancimin legjislativ për sistem më të mirë”, tha Zemaj.