Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zeka paralajmëron stabilizim të çmimeve këtë vit

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka kërkon nga Qeveria një mekanizëm të centralizuar për dialogun publiko-privat, përmes të cilit odat ekonomike do të mund të adresonin shqetësimet e ndërmarrjeve të sektorit privat, pasi që sipas tij, qeveritë nuk janë duke i kushtuar rendësi kësaj çështje.

Drejtori Zeka thekson se misionet diplomatike të Kosovës, kudo që ekzistojnë duhet të avancohen në promovimin e potencialeve për investime dhe eksporte të Kosovës.

“Uroj po ashtu që gjatë këtij vit, qeveria t’i kushtojë rendësi më të madhe dialogut publiko-privat, kjo nuk është që është parë si shembull i mirë përgjatë dy viteve të fundit dhe ka nevojë që të shohim një përmirësim shumë më të madh në aspektin e dialogimit me të gjithë hisedarët e rëndësishëm. Natyrisht që qeveria e ka përgjegjësinë më të madhe për drejtimin e vendit, por në demokraci të avancuara roli i hisedarëve jo politik, odave ekonomike, sindikatave e të gjithë të tjerëve është po aq i rëndësishëm, ashtu siç është edhe i profesorëve universitar ose i akademisë në përgjithësi”, tha Zeka për KosovaPress. “Përtej kësaj besoj se duhet të gjithë t’i bashkojmë forcat, natyrisht qeveria, duke i prirë këtij procesi, por edhe palët e tjera në promovimin e mundësive për investimin në vend, oferta e vendit për investitorët e huaj nuk është se është promovuar në mënyrën më të mirë të mundshme, as në këto dy vite të kësaj qeverisje por as në të kaluarën. Besoj se këtu duhet të kemi një ndryshim radikal dhe promovim më të madh edhe të mundësive për tërheqjen e investimeve por edhe të promovimit të eksporteve, dhe këtu e shohim një rol më të fuqishëm të diplomacisë ekonomike të vendit. Misionet diplomatike të Kosovës, kudo që ekzistojnë duhet të avancohen për promovim të interesave komerciale të vendit dhe promovim të eksporteve të mundshme por edhe lidhje ose vendosje të kontakteve ndërmjet bizneseve të vendeve ku ata shërbejnë me bizneset kosovare”.

Image

Në një intervistë për Kosovapress, Zeka ndër të tjera ka folur edhe për rritjen e çmimeve, për çka thotë se deri në tremujorin e fundit të këtij viti do të ketë stabilizim të çmimeve.

“Sa i përket inflacionit dhe kostos së jetesës në përgjithësi duket se nuk ka pasur ende një përmirësim përgjatë këtij viti. Ndryshim të vetëm ka pasur tek çmimi i karburanteve, si çmimi i produkteve të energjisë në përgjithësi. Ajo që presim është se deri nga pjesa e tremujorit të fundit të këtij viti të fillojë të ketë një stabilizim të çmimeve të produkteve anë e mbanë botës. Ky është edhe një parashikim i institucioneve financiare ndërkombëtare që deri në fillim të vitit 2024 do të kemi stabilizim të inflacionit ose ulje të inflacionit, i cili ka shënuar rritje të jashtëzakonshme në këto tre vite, nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, por edhe nisjes së luftës në Ukrainë”, thekson Zeka.