Arbëri

Zeka: Iniciativa për Gjykatë për serbët, tallje politike për të sunduar Kosovën që po zbrazet

Për deputetin e Nismës për Kosovën, iniciativa për një Gjykatë Speciale për serbët është tallje me të zhdukurit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Zeka ka thënë se ka disa ditë që kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka hedhur një propozim për, siç ka thënë Zeka, gjoja themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar, i cili do t’i gjykonte krimet serbe në Kosovë.

“Duke qenë si një qytetar me shumë familjarë të vrarë, masakruar e të zhdukur, në mesin e tyre edhe nënën, e them me ndërgjegje të plotë, se kjo është një tallje e radhës, dhe shumë e madhe. Në institucionet e Republikës tonë të Burdushit, kanë punuar vrasës, njerëz të cilët kanë qenë dora e djathtë e Millosheviqit. Të gjithë këta me bekimin e çdo lideri politik të krahut të luftës”, ka thënë Zeka.

Sipas tij, Kosova kurrë nuk ka qenë në pozitë më të keqe ndërkombëtare.

“Ne nuk po mundemi ta bëjmë shtetin, po me vjedhë atë. Ne nuk po mundemi me ndërtu ekonomi stabile, po me shkatërru atë. Ne nuk po mundemi me ba Wetingun brenda nesh. Lindë pyetja: si paskemi mundësi me bind boten për një gjë të tillë? Ne nuk po merremi vesh për gjërat më të thjeshta, e lëre më për një Tribunal që nuk varet nga ne”, ka thënë Zeka.

“Ne ua kemi ndërpre ndihmat familjarëve që ju kanë vra njerëzit në luftë. Ne nuk po kemi guxim me fol për veteranet e rrejshëm. Ne po i gjuhemi në shpinë ambasadorit zviceran pse e tha një të vërtetë. Ne po e vjedhim paranë publike sikur të ishte kuleta e Millosheviqit. Ne nuk po caktojmë një ditë për krejt dëshmorët e Kosovës. Ne nuk po caktojmë një ditë për martirët. Ne nuk po guxojmë të flasim as për rolin vendimtar të NATO-s në çlirimin e Kosovës, duke menduar që përmes miteve do të vazhdojmë e ta shkruajmë historinë tonë. Ne nuk po jemi në gjendje ta vendosim monumentin e Lirisë së Kosovës, Adem Jasharin, përballë trekëndëshit të bashkim-vëllazërimit në Prishtine. Ne nuk po merremi vesh as për Flamurin e Kosovës e Himnin e shtetit, e po dashkemi me ba Tribunal, e me i denu kriminelët serbë në Serbi?!!!”, ka shtuar më tej Zeka.

Sipas Zekës, kjo tallje po bëhet për të sunduar Kosovën.

“Hapu oj tokë e të hy i gjallë, sepse ashtu-kështu, vetëm kockat na kanë mbetur. Çdo gjë tjetër është e atyre që vetëm talljen e kanë mjet politik, për ta sunduar Kosovën, e cila çdo ditë po zbrazet”, ka thënë në fund ai.