Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli: Të formohet Tribunali ndërkombëtar për krimet serbe, nuk ka amnisti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në Ditën Ndërkombëtare të Pagjeturve ka kërkuar formimin e Tribunalit ndërkombëtar për krimet serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Derisa ka theksuar se nuk do të ketë asnjëherë amnisti për ta.

Lideri opozitar gjatë homazheve që ka bërë mesditën e së hënës në memorialin e pagjeturve në sheshin, “Ibrahim Rugova”, shtoi se Tribunali ndërkombëtar që e ka iniciuar, tashmë duhet të merr drejtimin e vet institucional.

“Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin e vet që ka kryer mbi popullatën e pafajshme. Mbi fëmijët tanë, civilet, përmes një Tribunali ndërkombëtar që e kam iniciuar. I cili duhet të merr drejtimin e vet institucional. Shteti i Kosovës e ka obligim të kërkoj nga Serbia përgjigje për kriminelët e Serbisë. Kjo është ajo që duhet të themi këtë përvjetor dhe duhet të themi çdo ditë”, tha ai.

Krahas kësaj, Veseli tha se shteti i Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet atij serbë.

“Nuk ka amnisti, nuk ka falje, ka veç përgjigje Serbisë për gjenocidin që e ka kryer. Nuk duhet të ketë as pranim, as nënshtrim ndaj Serbisë”, u shpreh ai.

Ndonëse më herët, Veseli ka deklaruar se nuk do të votojnë asnjë qeveri, ai këtë herë refuzoi të përgjigjet për këtë çështje.