Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zejnullah Gashi është vlerësuar me më së shumti pikë për kryeprokuror

Zejnullah Gashi

Të pesë kandidatët për kryeprokuror janë intervistuar të mërkurën dhe secili është zotuar për pavarësi funksionale e menaxhim të lëndëve në Prokurori, në rast se zgjidhen. Kandidati Zejnullah Gashi është vlerësuar më së shumti nga paneli vlerësues

Pavarësi funksionale në sistemin prokurorial, sistem të ri të vlerësimit të performancës e menaxhim efikas të lëndëve, janë disa nga zotimet e bëra nga kandidatët për kryeprokuror të shtetit, gjatë intervistimit të tyre të mërkurën.

E bazuar në vlerësimin e panelit vlerësues, kandidati Zejnullah Gashi mori më së shumti pikë, përkatësisht 91.6, i pasuar nga Atdhe Dema me 89.3 pikë, Naim Abazi me 89 pikë, Rafet Halimi me 87 pikë dhe i pesti Shqipdon Fazliu me 86.5 pikë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bedri Gashi, udhëheqës i njësisë për Komunikim me Publikun në Këshillin Prokurorial (KPK), tha se pas përfundimit të procedurave, lista e kandidatëve do të procedohet për votim në KPK.

“Në përputhje me Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive, konkretisht, sipas neni 17-të të kësaj rregulloreje, pas përfundimit të afatit për paraqitjen e kundërshtimeve dhe shqyrtimit të tyre, procedimi i kandidatëve për votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës zhvillohet në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në këtë rregullore. Pas përmbylljes së këtyre fazave procedurale, lista e pesë kandidatëve do t'i procedohet Këshillit Prokurorial të Kosovës për shqyrtim dhe votim në mbledhjen e radhës, e cila do të thirret në përputhje me rregullat dhe procedurat në fuqi”, ka thënë Gashi.

I pari që u intervistua nga paneli vlerësues ishte Atdhe Dema. Ai ka thënë se do të punojë për rritjen e pavarësisë në sistemin prokurorial, në rast se zgjidhet.

“Rritjen e pavarësisë të mëtutjeshme në aspekt financiar dhe jo vetëm. Forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me partnerët tanë fillimisht si dhe me shtetet regjionale dhe më gjerë”, ka thënë Dema.

E Naim Abazi, i cili është prokuror në Speciale, tha se kolegët e tij janë të ngarkuar me deri në 500 lëndë dhe se duhet menaxhim më i mirë.

“Çështja që do të fokusohem është edhe ngritja e cilësisë së aktakuzave dhe hetimeve, sidomos te veprat penale që lidhen me korrupsionin, me krimin e organizuar dhe të tjera të rënda. Mendoj që në disa raste prokurorët kanë nevojë të kenë specializime të veçanta në fusha të caktuara. Në situata të tilla nuk është bërë asnjëherë mjaftueshëm”, ka thënë Abazi.

E, kandidati Rafët Halimi u shpreh se ka shumë defekte në koordinimin mes Policisë dhe Prokurorisë dhe premtoi zgjidhje.

“Kam paraqitur një platformë që do të paraqitet në çdo prokurori, e cila do të incizohet çdo bisedë mes prokurorit dhe hetuesit i cili paraqitet nga vendi i ngjarjes. Kam paraparë të parashihet një platformë statike dhe të mbesin në arkiv të dhënat dhe autorizimet që jepen për ndonjë rast”, ka thënë Halimi.

Prokurori të pavarur e profesionale që do ta kthejë besimin e publikut në sistemin prokurorial, ka premtuar kandidati Shqipdon Fazliu.

“Ta ndërtojmë një prokurori moderne, transparente, efikase, të pavarur që kthen besimin e publikut në sistemin prokurorial me strukturën aktuale, profesionale që kemi në vend. Synojmë të arrijmë një drejtësi më të mirë, për qytetarët”, ka thënë Fazliu.

E Zejnullah Gashi, që doli i pari me pikë në fazën e intervistimit, ka theksuar se do të jetë zëri i prokurorëve dhe kryeprokurorëve në Këshillin Prokurorial.

“Kryeprokurori do të jetë garantues i ligjshmërisë së vendimeve në kuadër të sistemit prokurorial. Sa i përket bashkëpunimit ndërinstitucional, ky bashkëpunim është i natyrshëm. Unë do të jap kontributin maksimal të përfaqësimit të prokurorëve apo kërkesave që vijnë nga prokurorët, sa i përket aspektit të kapaciteteve në prokurori”, ka thënë Gashi.

Në mesin e kandidatëve nuk është kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, të cilin KPK-ja e pati zgjedhur në konkursin e rreth tre vjetëve më parë.

Në tetor të 2023-tës, presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, nuk e pati dekretuar Isufajn me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes. Që nga ajo kohë, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit është udhëhequr me ushtrues detyre.