Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, përveçqë ka zgjedhur të mos i procedojë pyetjet rreth hetimeve që kanë filluar ndaj kryetarit të Pejës dhe të tjerëve tek prokurori që e ka lëndën, ndaj ankesës që ka bërë gazetarja e “Kohës Ditore”, Dardane Neziri në Prokurori për mospranim të kurrfarë përgjigjeje, ajo ka reaguar me ofendime dhe kërcënime.
Dy ditë pasi që pyetjet janë dërguar në emailin e Kozmaqit dhe thirrjeve telefonike që i janë bërë, gazetarja ka kontaktuar direkt prokurorin e rastit, Ali Rexha, për ta pyetur nëse do të ketë përgjigje së shpejti.
Rexha i ka thënë se ai nuk është kontaktuar fare nga zyra për media dhe se vetë ai nuk ka të drejtë që të flasë rreth rastit. Gazetarja e ka drejtuar edhe një email te zëdhënësja, si dhe në të e ka përfshirë edhe zyrën e kryeprokurorit.
Ky email ka nxitur reagimin fyes të zëdhënëses Kozmaqi, e cila nëpërmjet telefonit së pari ka mohuar të ketë marrë email dhe pastaj e ka quajtur gazetaren “të paedukatë dhe të paaftë”.
Duke siguruar se “nuk shqetësohet nëse kontaktohet zyra e prokurorit” dhe “nuk i intereson nëse del në faqe të parë të gazetës”, zëdhënësja Kozmaqi e ka paralajmëruar gazetaren se “kurrë nuk do të marrë më përgjigje” nga ajo.
Gazeta i ka dërguar zëdhënëses Kozmaqi pyetje sërish për rastin, dhe ajo e ka mbajtur fjalën, duke mos i kthyer përgjigje.
Ky nuk është rasti i vetëm kur gazeta ka hasur në vështirësi për marrjen e informacioneve nga Prokuroria e Shtetit. Çështja e mungesës së transparencës së Prokurorisë është ngritur edhe nga shumë media të tjera, si dhe nga organizatat e shoqërisë civile.