Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, duke komentuar situatën e fundit në Maqedoni, kur pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në krye të Kuvendit të Maqedonisë shpërtheu dhunë, ka thënë se “tolerimi i deritashëm i dhunës e shovenizmit të Gruevskit e ka sjellë këtë gjendje”.
“Këtu ndërkombëtarët nuk janë krejt të papërgjegjësi. Maqedonia është ndërtuar dhe ekziston përmbi pabarazinë dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve. Qartazi kjo nuk e paqëson pjesën shovene të politikës maqedone, por e ushqen dhe rrit atë. Bashkëjetesa dhe paqja arrihet vetëm në kushte barazie e solidariteti. Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë, në secilën situatë, karshi cilitdo popull”, ka thënë Ymeri.
Ai ka thënë se shpreson që Zijadin Sela, Zoran Zaev, e të gjithë të lënduarit tjerë të shërohen sa më shpejtë.
“Reagimi i Tiranës dhe Prishtinës duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur. Nuk bën në asnjë mënyrë të jemi indiferentë e me dy mendje në kundërshtimin tonë ndaj instalimit të politikës shoveniste në një vend fqinj. Aq më tepër kur aty jetojnë shqiptarët. Aq më tepër kur ky shovenizëm është kundër shqiptarëve”, ka thënë më tej Ymeri.