Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka përsëritur akuzat që janë dhënë nga anëtarë të tjerë të partisë së saj lidhur me kontratat për importin e energjisë elektrike me kompaninë e Vuk Hamoviqit, EFT.
LDK-ja ka akuzuar së fundmi Lëvizjen Vetëvendosje për lidhje me kompaninë EFT të Hamoviqit, gjë që LVV e ka mohuar. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pati thënë më 5 dhjetor se KOSTT dhe KEK si dhe KEDS e KESCO kanë konfirmuar se gjatë qeverisjes së LVV-së nuk kanë pasur asnjë kontratë për import të energjisë elektrike nga kompania serbe EFT.
E, Ymeri Hamoviqin e ka quajtur "king" të rrugëve energjetike në Kosovë.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Ymeri ka akuzuar se vetëm në janar të vitit të kaluar, brenda 31 ditëve, Hamoviqi është paraqitur 72 herë, që sipas saj lë të kuptohet se ai edhe e ndikon çmimin e energjisë elektrike.
“Unë kam bërë kërkesë për hetime nga Prokuroria Speciale edhe e bën dosjen. Ata pastaj të thërrasin për dosjen që e ke dërguar. Nëse dërgon pallavra e broçkulla nuk të thërrasin e madje del shumë keq. Për të treguar seriozitetin e kësaj pune, i thërret në mbledhje të kuvendit të gjithë akterët. Në atë mbledhje të Kuvendit të Kosovës u kuptua që as KEDS-i nuk e di çmimin e energjisë elektrike ndërkufitare. Kemi të bëjmë me rastin e parë në histori të sabotimit të sektorit elektro-energjetik në Kosovë, në përfitime të interesave serbe. Po flasim për kapacitete ndërkufitarë në bartje të rrymës që as unë as ti nuk i kemi parë derisa kanë dalë statistikat. P.sh janar 2024, në 31 ditë, 72 herë paraqitet Vuk Hamoviq. Absolutisht pa asnjë dyshim është kingu i rrugëve energjetike. Ky ta ndikon edhe çmimin”, ka deklaruar Ymeri në emisionin “Konfront” në KTV.
Alijaj: Pse LDK-ja po flet për energjinë në prag të zgjedhjeve, pse s'foli më herët
Analisti Artan Alija, ka thënë se për çështjen e energjisë, Lidhja Demokratike e Kosovës është dashur të flasë më herët. Duke iu referuar deklaratës së kandidates për deputetë të LDK-së, Janina Ymeri, se ka pasur informacione edhe më herët për çështjen e energjisë, Alija tha se kjo parti duke e ngritur këtë çështje tani, lë të mendohet se po e përdorë për fushatë politike në prag të zgjedhjeve.
“Ne nuk duhet të bazohemi në deklarata të partive politike por institucionet profesionale të merren më këtë çështje, të hetohet. Partitë politike japin deklarata për interesa të tyre, është edhe strategji e një partie politike të hyjë në një fushatë zgjedhore me një temë të caktuar dhe mendon se ajo është ‘thembra e Akilit’. Ne po themi pse këtë s’e kanë bërë para fushatës. Ta kishin bërë publike edhe më herët pasi Janina Ymeri deklaroi se ka pasur informacione edhe më herët sepse shkoi një vit e askush nuk është marrë me problemet e qytetarëve, në këtë rast as LDK-ja”, deklaroi Alija në emisionin “Konfront” në KTV.
Buzhala: Keqpërdorimi i energjisë s'është kauzë e LDK-së, e ka përvetësuar nga mediat
Gazetari Mentor Buzhala ka thënë se çështja e energjisë elektrike e keqpërdorimet në të nuk është ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por se këtë çështje, sipas tij, LDK-ja e ka përvetësuar nga mediat.
Ai ka thënë se deri tash LDK-ja është dashur të dilte me një strategji dhe qytetarët ta shihnin atë. Siç ka theksuar ai, LDK-ja nuk ka ofruar asnjë argument më shumë rreth energjisë se sa që kanë dhënë mediat.
“LDK-ja për pesë vjet, unë nuk kam pa që e ka çu një kauzë ekonomike përpara deri tash. Te çshtja e energjetikës hyn te çështja e ekonomisë, dhe i ka dhënë hov të madh kohët e fundt. Kjo nuk është kauzë e LDK-së, këtë çështje e kanë shtyrë përpara dhe e kanë zbuluar mediat në Kosovë. E ka gjetë terrenin e gatshëm, në momentin që e ka Vuk Hamoviqin aty, e ka marrë si kauzë të tyre dhe ka thënë ‘a po do me populizëm me sulmu Albinin’, ‘po, qe edhe na’. Vc tash ka dalë çështja e energjisë. Edhe cështjen e NOA-s mediat e kanë ngritë, edhe cështjen e GEN-it, dhe nuk ka shkuar asgjë më përtej”, ka potencuar Buzhala në “Konfront”.
Ymeri: Fusha e energjisë në Kosovë është shfrytëzuar për të ngadalësuar ekonominë
Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka thënë se në vendin tonë energjia është shfrytëzuar për ta ngadalësuar ekonominë e jo për ta shtyrë përpara atë.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Ymeri ka thënë se Maqedonia e Veriut për shkak se qëndron më mirë me energjinë elektrike, edhe në klimën investuese del automatikisht më mirë.
“Sa për ekonominë kosovare në shenjë promovimi sonte e kam veshur xhemperin dhe kam vënë bizhuteritë, që janë prodhim i tregut lokal. I veshi edhe jashtë fushatës por vetëm të tregojmë që kemi potencial edhe në nivel lokal. Është shumë e nevojshme ta promovojmë këtë. Energjia është shfrytëzuar për ta ngadalësuar ekonominë dhe jo për ta shtyrë përpara atë. Janë ndikuar edhe biznesenet edhe individët. Maqedonia e Veriut e cila është më mirë me energjinë elektrike, automatikisht del më mirë në klimën investuese. Tokat solare i jep më lehtë e jo si ne që kemi 100 burokraci për të marrë një tokë me solare. Ne nuk kemi arritë të shfrytëzojmë kapacitetin për energji për thëngjillin që kemi, për tokat që kemi sepse gjithmonë jemi ndier mungesë. Është fushë që është menduar si e komplikuar sepse është portretizuar ashtu nga pushteti”, deklaroi Ymeri.