Bashkimi Evropian mbajti tjetër takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë muajin e shkuar, por sërish nga Brukseli liderët dolën pa ndonjë marrëveshje a përmirësim raportesh, nis shkrimin mediumi prestigjioz “WashingtonPost” të premten, në një analizë se përse BE-ja po e ka të pamundur t’u japë fund telasheve mes dy shteteve në Ballkan.
Sipas shkrimit, të bazuar në një sondazh me mbi 1600 persona në Kosovë, shumica e njerëzve të anketuar nuk e miratojnë përfshirjen BE-së në përpjekjet e saja si ndërmjetësuese. Aty theksohet se sondazhit nëpërmjet telefonit i janë përgjigjur 1608 persona. Pyetjet kanë qenë lidhur me punën e BE-së në Kosovë si dhe për punën e NATO-s dhe OSBE-së.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRezultati nxjerr në pah pakënaqësitë e kosovarëve me rolin e Bashkimit Evropian. Përderisa 42 për qind e të anketuarve ishin të kënaqur me kontributin e BE-së në paqe dhe stabilitet, 44 për qind ishin të pakënaqur. Kjo bie në kontrast me pikëpamjet e tyre për kontributin e NATO-s dhe OSBE-së. 94 për qind e të anketuarve u shprehën të kënaqur me përpjekjet e NATO-s, ndërkaq 73 për qind ishin të kënaqur me OSBE-në.
“Ngjashëm, 64 për qind e tyre besojnë se BE-ja ishte e njëanshme në atë se kujt i shërben, një konstatim në përputhjet me akuzat e shumë kosovarëve se misioni i BE-së ka tendenca ‘anti-shqiptare’ dhe ‘pro-serbe’”, ka shkruar WP.
Gjetjet reflektohen edhe në përgjigjen për pyetjen se “Sa të suksesshme i shihni këto organizata në arritjen e qëllimeve të tyre në Kosovë?” Përderisa shumica dërrmuese besojnë se NATO-ja dhe OSBE-ja kanë kryer me sukses misionet e tyre (95 dhe 78 për qind), vetëm 42 për qind mendojnë kështu për BE-në.
Për dallim nga BE-ja që është ndërmjetëse në dialogun Kosovë-Serbi dhe merret me reformat institucionale, NATO-ja ka për detyrë parandalimin e konflikteve dhe ruajtjen nga mundësia e kthimit të dhunës ndëretnike. Të dyja misionet nga WP-ja shihen të vështira, por ky medium shkruan se qytetarët e Kosovës në vazhdimësi e më shumë s’po pajtohen me përpjekjet e BE-së.
Për dallim nga të dhënat që dalin prej Kosovës, shifra më të larta mosbesimi ndaj BE-së ka në Serbi. Një barometër evropian ka treguar se serbët i besojnë BE-së më së paku ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor. Një sondazh i fundit i IPSOS-it ka nxjerrë në pah se serbët janë të zhgënjyer me premtimet e BE-së dhe po shohin kah Rusia për paqe, siguri e stabilitet.
“Këto trende kanë rëndësi. Aftësia e Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Serbisë dhe Kosovës varet nga mënyra se si dy palët e perceptojnë efikasitetin dhe paanshmërinë e saj. Kjo është veçanërisht e vlefshme në një kohë kur përpjekjet për të ndërmjetësuar konfrontimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po zgjaten gjithnjë e më shumë”, thuhet në shkrimin e “WashingtonPostit”. “Pavarësisht dështimeve të fundit, BE-ja vazhdon të shpresojë në aftësinë e saj për të zbutur kërcënimet ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Gjithsesi, gjetjet duhet të shërbejnë si paralajmërim: BE-së mund t’i duhet t’i kapërcejë më shumë sfida sesa krijimi i kushteve adekuate për arritjen e një marrëveshjeje, nëse do që t’i japë fund të qëndrueshëm kontestit mes dy shteteve. Kjo në veçanti ka rëndësi në kohën kur BE-ja po i jep shtytje të re dialogut këtë javë”, shkruhet në analizën e Cameron Mailhotit në WP.
Të premten në Kosovë kryeministri Albin Kurti priti në takim emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, të shoqëruar nga këshilltarët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe atij të presidentit francez, Emmanuel Macron.