Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se secila pikë e kornizës së re të dialogut duhet të trajtohet në detaje dhe të arrihet kompromisi i shumëpritur. Megjithëse nuk i ka zbuluar detajet e kornizës, ambasadori suedez është shprehur i bindur se ajo mund të shërbejë si platformë për gjetjen e zgjidhjes finale dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Diplomati suedez ka folur edhe për diskutimet që priten të bëhen javët në vijim në Bruksel, sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën
Ndryshim i ritmit dhe diskutime për detajet e kornizës së re në dialog është ajo që pritet prej Kosovës dhe Serbisë, javët në vijim.
Kështu ka thënë Jonas Westerlund, i cili rikthehet në Prishtinë pas 22 vjetësh, tani si ambasadori i Suedisë në Kosovë.
Diplomati, i cili ka ndërmjetësuar në zona të ndryshme konflikti, në vitin 1999 kishte ndihmuar në themelimin e misionit të OSBE-së në Kosovë. Me gjithë vështirësitë për shkak të së kaluarës, në një intervistë për KOHËN ai flet për mundësitë e gjetjes së një kompromisi, teksa shton se është informuar edhe për kornizën e re të dialogut.
“Po, jam informuar për këtë kornizë të dialogut dhe çka mund të them është se e mbështes emisarin e BE-së, Lajçak. Ka dallime rreth kësaj. Por mendoj se është e rëndësishme se keni një agjendë të duhur dhe diskutoni për gjërat që duhet të diskutohen, pra ju e merrni vendimin për agjendën dhe fokusoheni në ato pika. Por nuk dua të komentojë se cilat pika duhet të jenë në këtë kornizë e cilat jo. E kuptoj se ka pasur disa sugjerime nga Qeveria e Kosovës, nuk i kam detajet e saj. Por tani mendoj se është koha të fokusohemi në detaje në mënyrë që të lëvizet përpara”, ka thënë Westerlund.
Diplomati suedez ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku përmend tetorin si afat kur BE-ja mund të diskutojë rreth kësaj çështjeje.
“Mendoj se të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me vizat janë çështje e komplikuar, po ashtu edhe shumë teknike. Ekziston një grup në Bruksel, i quajtur Komiteti Plus. Ata duhet të futen brenda të gjitha detajeve dhe ka një rishikim, i cili do të vijë në javët e ardhshme. Pra një rishikim i situatës, duke u kthyer prapa te vendimi i vitit 2018 i Komisionit Evropian, pra kjo po rishikohet tani. Kështu që le të shohim se çfarë përfundime do të nxjerrë ky rishikim dhe pastaj çfarë diskutimesh do të kemi kah mesi i tetorit në Bruksel”, është shprehur ambasadori suedez.
Në intervistë, Westerlund ka folur edhe për tensionet e fundit në veri dhe rreziqet që i kanosen Ballkanit Perëndimor pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën.
Intervista e plotë me ambasadorin suedez transmetohet sonte, e premte, në “Interaktiv”, me fillim prej orës 22:50.