Pas takimit të fundit trepalësh në Bruksel, emisari Peter Sorensen u vlerësua për paraqitjen e një vizioni të qartë për rrugën përpara drejt zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur deri tash mes Kosovës e Serbisë. Por analistët shprehen skeptikë për progresin, përderisa Kosova ndodhet në vakum institucional dhe Serbia vazhdon të këmbëngulë në temat e saj
Progresi i synuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, pas takimit të fundit trepalësh, po shihet pak i pritshëm nga njohës të rrethanave. Me gjithë optimizmin që shprehën palët, sipas analistit Arbnor Sadiku rrethanat aktuale politike nuk shkojnë në favor të këtij procesi.
“Duke pasur parasysh gjendjen aktuale politike në Kosovë lë shumë për të dëshiruar ajo që vërtet mund të ketë ndonjë progres të theksuar sa i përket zbatimit të marrëveshjeve aktuale që janë arritur në dialog midis Kosovës dhe Serbisë dhe të ketë një lloj riformatimi të dialogut për faktin që Kosova ende po përpiqet t’i krijojë institucionet e saj dhe gjasat janë minimale, se ato mund të jenë të krijuara deri pas zgjedhjeve lokale. Andaj, mendoj që ndoshta tek në fundin e këtij viti eventualisht fillimi i vitit të ardhshëm mund të ketë shpresë së paku për një riformatim të dialogut karshi lidershipit të zgjedhur të Unionit Evropian dhe si përçues i kësaj politike sigurisht që është ndërmjetësuesi aktual Sorensen ndërmjet palëve - Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Sadiku. “Aktualisht palët janë në një status të ngrirë dhe pothuajse përfaqësojnë vetëm deklarata publike për të konsumuar agjendat e tyre, qoftë Bashkimi Evropian, Kosova apo Serbia dhe sa për t’u theksuar diku në planin e punës që është mbajtur ndonjë takim. Por, nëse e shohim aspektin përmbajtjesor, nuk është që ka pasur diçka konkrete”.
Zbatimi i Marrëveshjes Bazë ka qenë tema kryesore në takimin e parë trepalësh, i mbajtur të martën në Bruksel.
Pas takimit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ndërmjetësi i ri i Sorensen ka vizion të qartë si të ecet përpara, ani se është ende herët për rezultate konkrete. Bislimi ka bërë të ditur se ka zhvilluar edhe një takim të ndarë me emisarin Sorensen, me të cilin ka folur për çështjen e personave të pagjetur, shqiptarët e Luginës, zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit e tema të tjera.
“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shume një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, ka thënë ai.
E kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq ka insistuar sërish në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tek shtoi se prezantuan edhe një plan për depërshkallëzim në veri të Kosovës.
“Por, gjëja më e rëndësishme është që AKS-ja duhet të formohet dhe diskutimi për statutin e AKS-së të vazhdohet. Këtu u ndal një vit e gjysmë më parë. Prishtina nuk donte të vazhdonte diskutimin e çështjes. Dhe pastaj u mor vendimi i tmerrshëm për heqjen e dinarit. Ne duhet të diskutojmë për statutin dhe ta themelojmë AKS-në”, ka thënë Petkoviq.
Emisari Sorensen ka thënë se folën rreth avancimit të normalizimit të marrëdhënieve të tyre në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë në dialog, zbatimin e obligimeve të pazbatuara dhe çështjet aktuale.
“Folëm rreth avancimit të normalizimit të marrëdhënieve të tyre në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë në dialog, zbatimin e obligimeve të pazbatuara dhe çështje aktuale. U pajtuam që diskutimi të vazhdojë së shpejti”, ka shkruar Sorensen pas takimit.
Analisti Sadiku thotë se duhet të ketë reciprocitet në zbatimin e marrëveshjeve dhe Serbia t’i japë fund përdorimit të serbëve lokalë për qëllime politike.
“Sigurisht një qeveri e re, natyrisht që ka për obligim t'i zbatojë marrëveshjet dhe karshi kësaj përveç zbatimit të Asociacionit në të njëjtën kohë duhet zbatimi i marrëveshjeve nga Serbia për personat e pagjetur. Po ashtu kemi pasur një kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, që karshi kësaj të ketë edhe njëfarë njohje ‘de facto’ të Kosovës nga Republika e Serbisë. Por kjo lë shumë për të dëshiruar dhe për t'u parë nëse do të jetësohet, sepse nga e kaluara e dimë që veçanërisht Serbia nuk ka qenë e interesuar ‘de facto’ as ‘de jure’ ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe karshi kësaj edhe problemin e serbëve të Kosovës, në kuptimin e integrimit tyre në shtetin e Kosovës”, ka thënë Sadiku.
“Serbët e Kosovës i ka përdorur më shumë për çështje politike dhe elektorale të kauzave nacionaliste serbe në vazhdimësi. Kryesisht viteve të fundit e kem parë që politika e Vuçiqit ka qenë njëfarë lloj politike e hollë e botës ruse në Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht serbët lokalë janë përdorur në vazhdimësi në formën e zbatimit të asaj politike”.
Pas takimit të së martës ka reaguar Lidhja Demokratike duke thënë se Bislimi nuk gëzon asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Kosovën në dialog me Serbinë. Sipas këtij subjekti, çdo marrëveshje apo angazhim i ndërmarrë në këtë fazë të qeverisë në detyrë nuk mund të prodhojë obligime për Kosovën.
“Negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë. Çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë nuk do mund të prodhojnë obligime për Kosovën. Tentimi i z. Bislimi për ta futur Kosovën në obligime, pa pasur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, që muajin e kaluar vizitoi Kosovën pati deklaruar se me emisarin e ri, Peter Sorensen, palët do t’i shtjellojnë mënyrat si të bëhet dialogu më produktiv.
Pavarësisht letrës së Serbisë që nuk i tha më herët BE-së se nuk i zbaton pikat e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, sipas Kallasit marrëveshja është fakt dhe duhet të zbatohet.