Arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, zv.ndihmëssekretari amerikan, Matthew Palmer, e ka konsideruar çështje urgjente.
Në një intervistë për kanalin televiziv serb, N1, Palmer të premten mbrëma ka thënë se të dyja vendet duhet të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
“Nuk kemi ndonjë afat të caktuar, por këtë proces e shohim si çështje urgjente. Ne do të donim që palët të lëvizin përpara drejt marrëveshjes e normalizimit të marrëdhënieve sa më shpejt që te jetë e mundur. Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë që presim, do të bëhet më e vështirë dhe sfidat do të bëhen edhe më të komplikuara. Ne shpresojmë që palët do të riangazhohen me seriozitet dhe të përkushtohen që të lëvizin përpara për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka thënë ai.
Derisa Palmer nuk ka dhënë ndonjë afat kohor, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, ka thënë se pret që bisedimet të nisin pas formimit të institucioneve në Kosovë.
“Unë pres takimin e parë mes dy delegacioneve, në një kohë të arsyeshme pasi në Prishtinë të konstituohen të gjitha institucionet dhe kjo mund të ndodhë para verës”, ka deklaruar Lajçak.
Por nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse do të angazhohen që procesi i dialogut të nisë para verës.
“Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, nuk është shprehur kundër dialogut si proces apo procedurë. As nuk e ka neglizhuar rëndësinë e dialogut. Ai (Kurti) është insistues për nevojën që ai të jetë i përgatitur mirë dhe me parime të qarta, me një qasje të re dhe në shërbim të popujve të të dyja vendeve. Kosova duhet të jetë palë dhe jo temë, siç ka qenë deri tani. Ajo duhet të përgatisë e paraqesë kërkesat e saj. Kështu përfaqësohen dhe mbrohen interesat e Republikës sonë”, ka thënë zëdhënësi Përparim Kryeziu.
Në anën tjetër, nisjen e dialogut menjëherë pas formimit të institucioneve e ka cilësuar të rëndësishme edhe analisti gjerman Bodo Weber.
Në një përgjigje për KOHËN, Weber ka thënë se një gjë e tillë varet edhe se si do të shkojë procesi i zgjedhjes së presidentit.
“Derisa i kuptoj rezervat e Qeverisë së ardhshme ndaj negociatave duke pasur parasysh performancën e zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së gjatë katër vjetëve të fundit, do të ishte në interesin e Kosovës të bënte të mundur rinisjen këtyre negociatave para verës, për shkak të largimit të kancelares gjermane, Angela Merkel, në fund të këtij viti. Më e mira do të ishte nëse presidenti Biden dhe kancelarja Merkel do të dilnin me një deklaratë të përbashkët, në linjë të letrave të fundit të Bidenit, dhe intervistën e fundit të përbashkët nga përfaqësuesi i BE-së, atij Miroslav Lajçak dhe Matt Palmer”, është shprehur Weber.
Vendit i duhet edhe pak kohë deri në konstituimin e institucioneve, shkaku i proceseve ankimore që kanë pasuar pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Certifikimi i tyre mund të bëhet vetëm pasi të përfundojë afati i ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, dhe eventualisht edhe të atyre në Gjykatën Supreme.