Arbëri

VV: Raporti i KE-së konfirmon se vdekjet në vendin e punës në Kosovë po shpeshtohen

Komisioni Evropian në raportin e vitit 2019 e cilëson Kosovën vend i cili nuk i garanton plotësisht as shërbimet bazike shëndetësore dhe as mbrojtjen sociale për qytetarët. Ka një dallim të madh mes ligjeve të Kosovës, dhe sasisë në të cilën ligjet zbatohen. Kështu u tha në konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Nënkryetarja e Vetëvendosjes Fatmire Mulhaxha Kollçaku, tha se raporti përmend atë që e dimë të gjithë: vdekjet në vendin e punës po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

“Të drejtat e fëmijëve shkelen shpesh, pasi edhe pse ligji e ndalon punësimin e fëmijëve, 10% e fëmijëve punojnë, madje 6.8% punojnë në kushte të rrezikshme. Skemat sociale janë të fryra, njerëz që nuk kanë nevojë marrin ndihmë sociale, ndërsa shumë familje në nevojë nuk marrin ndihmën e duhur. E sa i përket Sistemit Informativ Shëndetësor, përmes të cilit do të mblidheshin të dhënat e detajuara për pacientët, realizimi i tij është penguar nga vetë Ministria e Shëndetësisë”, tha ajo.

Kollçaku përmendi pasojat e kësaj gjendjeje në shëndetësi, ku 40% e kostos së shërbimeve shëndetësore mbulohet me para nga xhepat e pacientëve. Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e organizatës Eurotransplant dhe nuk i garanton transplantet për qytetarët e saj.

Sa i përket të drejtave të njeriut, deputetja e Lëvizjes, Saranda Bogujevci tha se mungon vullneti institucional për zbatimin e legjislacionit në fuqi, ku raporti konstaton, ndër të tjera, se:

- Dhuna në familje mbetet shqetësim i madh, me numër të lartë të grave të vrara dhe të keqtrajtuara, si dhe të fëmijëve;

- Çeshtja e strehimoreve nuk po zgjidhet sepse qeveria po refuzon të sigurojë financim të qendrueshëm. Strehimoret mbeten të varura prej vullnetit të subvencionimit. Gjithashtu, nuk ka mekanizma brenda institucioneve që monitorojnë gjendjen e strehimoreve;

- Dënimet janë shumë të ulëta për veprat penale, shpesh ato janë të vonuara në kohë, dhe shumë prej tyre nuk janë të formës së prerë.

“Ende mbetet shqetësim mosmiratimi i projektligjit për të drejtat e fëmijëve dhe mungesa e fondeve për shërbime sociale për ta. E njëjta gjendje është edhe me personat me aftësi të kufizuara. Sa i takon minoriteteve dhe integrimit të komuniteteve të tjera, mungesa e dialogut të drejtpërdrejtë me ta shpërfaq faktin se mungesa e të drejtave dhe të integrimit të tyre nuk janë shqetësuese për qeverinë tonë. Prioritet i kësaj qeverie, ashtu si dhe më herët, mbetet asfalti dhe shpenzimet e luksit. Që të ndryshojë Raporti i Komisionit Evropian për ne, dhe që të përmirësohet marrëdhënia jonë me BE-në, duhet së pari ta ndryshojmë qeverinë dhe t´i largojmë pushtetarët me mentalitet korruptim”, tha Bogujevci.