Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leonora Shabani-Bajraktari e Mirsad Vitia deponuan në zyrat e Komunës kërkesën për zëvendësim të asamblistëve Visare Gorani e Uran Ismaili, për shkak të mungesave të tyre për më shumë se tre muaj në mbledhjet e K.K. Prishtinë.
Me këtë rast, asamblisti Mirsad Vitia tha se më 28 mars 2019, në mbledhjen e 3-të të Kuvendit Komunal të Prishtinës, grupi i Lëvizjes Vetëvendosje kemi ngritur shqetësimin lidhur me mungesat e vazhdueshme të asamblistëve nga radhët e PSD-së, znj.Visare Gorani, dhe PDK-së, z.Uran Ismajli, njëherit edhe Ministër i Shëndetësisë. Fatkeqësisht, deri tani nuk kemi parë asnjë hap konkret nga kryesuesi i KK-Prishtinë, z. Agim Kuleta, sa i përket kësaj çështjeje.
Prandaj ne, sot, edhe zyrtarisht i dorëzuam atij - Lëndën: “Kërkesë për inicimin e procedurës për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, znj.Visare Gorani & z.Uran Ismajli”. Kjo sepse, edhe përkundër faktit që ne vazhdimisht kemi kërkuar nga ai që arsyet e mungesave të tyre të bëhen publike, ai kategorikisht ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.
Ritheksojmë se anëtarëve në fjalë u ka pushuar mandati sipas fuqisë ligjore. Pra, sipas legjislacionit në fuqi, me mungesën e tyre prej 3 muaj rresht pa arsye, automatikisht u pushon mandati si anëtarë të Kuvendit Komunal. Kjo do të thotë se detyrimi ligjor i kryesuesit të Kuvendit tashmë është krejt formal. Ai është i detyruar që të bëjë zëvendësimin e tyre në përputhje me ligjet në fuqi.
Pra, legjislacioni është zbatuar automatikisht për sa i përket pushimit të mandatit të anëtarëve në fjalë, ndërsa nuk është përmbushur zbatimi i zëvendësimit të tyre me anëtarë të rinj sipas legjislacionit të pushtetit lokal.
Edhe
Kërkohet t’u merret mandati Uran Ismailit dhe Visare Gorani-Gashit
Gjithashtu, potencojmë se çdo pagesë mujore në formë të kompensimit apo në ndonjë formë tjetër, që u është bërë atyre pas mungesës së tyre në mbledhje të Kuvendit Komunal pas afatit tre mujor, do të thotë shkelje e legjislacionit penal.
Andaj, kërkojmë nga kryesuesi Kuleta që këtë detyrë të tij ta fillojë sa më shpejtë të jetë e mundur në mënyrë që qytetarët e Prishtinës të kenë përfaqësues legjitimë dhe të ndërgjegjshëm ndaj besimit që u është dhënë.