Arbëri

VV-ja në Lipjan akuzon qeverisjen e Ahmetit për ndërtime të larta pa kritere

Lipjan, 26 shkurt - Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan ka akuzuar kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti, se po lejon të ndërtohen objekte të larta banesore pa kritere derisa afërsia e tyre me njëra-tjetrën po paraqesin rrezik dhe probleme të ndryshme.

Sipas Vetëvendosjes, tashmë është̈ sekret publik që korrupsioni po “lulëzon në Komunën e Lipjanit” kur bëhet fjalë për sferën e ndërtimeve të larta.

Nëpërmjet një reagimi, Alban Salihu, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se qyteti ka qenë i njohur për një infrastrukturë të mirë të ndërtimeve të larta të banimit dhe deri vonë nuk ka pasur tendencë të madhe të ndërtuesve për investime.

“Por, gjatë qeverisjes afër 8-vjeçare të Imri Ahmetit me Komunën e Lipjanit, ky sektor ka degraduar tej mase. Përveç që janë ndërtuar objekte pa u respektuar kriteret, dhe pothuajse kemi ndërtesa të ngjitura njëra me tjetrën, edhe cilësia e tyre është e një niveli mjaftë të ulët. Kjo besoj ka ndodhur për faktin se sektori i ndërtimeve nga pushteti është trajtuar si burim i korrupsionit. Pra, në Lipjan është pothuajse sekret publik që lulëzon korrupsioni”, ka kritikuar Salihu.

Image

Ai dyshon se shumë zyrtarë komunalë e të afërm të kryetarit, madje edhe ish-deputetë nga komuna e Lipjanit janë të zhytur në korrupsion.

“Vështirë se lëshohet ndonjë leje ndërtimi, pa ‘dhënë diçka’ në këmbim. Kushdo që sado pak angazhohet në jetën publike në Lipjan, e di këtë”, ka thënë më tej Salihu.

Sipas tij, në anën tjetër, “është shumë e njohur tendenca e kryetarit të komunës për ta ndërtuar imazhin e një kryetari të pastër e të përkushtuar”.

“Në krahë i ka OJQ-të dhe portalet lokale të sponzorizuara nga vet ai, si dhe pronarët e disa kafeneve të njohura në Lipjan, të cilët njihen dhe njihen si njerëz ‘cool’ dhe për mision e kanë propagandën për ‘punët e mëdha’ që po i bën kryetari i Komunës. Natyrisht këtë shërbim, këta të fundit nuk e kryejnë pa diçka në kthim. Fatmirësisht, me arrestimet që ndodhen, ku pati të përfshirë edhe zyrtarë të Komunës së Lipjanit, gjërat kanë filluar të qartësohen”, ka thënë më tej Salihu.

Sipas tij, edhe qytetarët e kanë kuptuar dhe dëshmi për këtë është edhe rezultati i 14 shkurtit në Lipjan. “Lëvizja Vetëvendosje doli me mbi 13 mijë vota, ndërkaq LDK kishte 5000 sosh. Ky rezultat ngjau, edhe përkundër që gjatë fushatës Kryetari i Komunës e kishte shndërruar komunën në ‘call center’, duke i marrë qytetarët në telefon si formë presioni madje edhe për ‘Likes’ që ata i bënin aktiviteteve tona në rrjete sociale”, ka kritikuar ai.

Në anën tjetër gjatë së premtes zyra për informim në komunën e Lipjanit nuk i është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, madje përgjigje nuk ka kthyer as zëdhënësi i kësaj komune Diamant Bytyqi.