Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike, që të dalin me tre emra të përbashkët, jo partiakë dhe unifikues, për president deri të dielën në mbrëmje. Partia më e madhe është zotuar se do t’i tërheqë kandidaturat dhe do t’ua ofrojë nënshkrimet PDK-së e LDK-së për propozimet e tyre. Deri tash, PDK-ja ka bërë të ditur se e refuzon propozimin, ndërsa LDK-ja ka thënë se nëse Vetëvendosja ua garanton 66 vota do ta propozojnë Vjosa Osmanin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeziu-Hyseni: Abdixhiku po kërkon edhe marrëveshje politike, edhe president partiak
Deputetja e Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për, sipas saj, qëndrime kontradiktore dhe kërkesa të dyfishta në raport me shumicën parlamentare.
Propozimin e Abdixhikut që LDK-ja mund ta propozojë Vjosa Osmanin për presidente nëse kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ia siguron 66 vota, Kryeziu-Hyseni e cilësoi si “propozim partiak”, ndryshe nga kërkesa e partisë në pushtet që sot në mëngjes doli me një ofertë të re, duke i kërkuar PDK-së e LDK-së t’i propozojnë tri kandidatë jopartiakë.
“I nderum deputet e kryetar i LDK’së Abdixhiku, muk po e di se a do t’përgjigjet Kryeministri jonë Kurti dhe kur. Periudhën për marrëveshje politike me LVV’në e keni shpallë ju të mbyllur të hënën me 20 prill. Bile deklaruat që nuk do të takoheni më! Sot para fillimit të seancës patët një bisedë me kryetarin e PDK’së Hamza. Tash me 15 vota që nuk i keni, kërkoni edhe marrëveshje politike edhe president partiak të LDK’së!”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kryeziu-Hyseni ka kërkuar që të propozohen tre emra që janë “figurë unifikuese e me integritet të lartë qytetar e kombëtar”.
“3 emra që janë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike - Kjo ishte oferta e re e LVV’së.
Ne jemi të bindur që pas zgjidhjes ideale, pra Murat Jashari, kandidati më i mirë dhe më i zoti dhe me mbështetje të gjerë popullore për President Republike është Glauk Konjufca, të cilin e votuan 318 mijë qytetarë - krahasojeni këtë me komplet votën e LDK’së, për të cilën votuan 126 mijë qytetarë, pra 2.5 herë më pak!”, është shprehur ajo.
Ajo ka shtuar se kjo është oferta për zgjidhje.
“Me 3 kandidatë në garë që ju do t’i propozonit bashkë me PDK’në si opozitë, do të ishim dukshëm mbi 80 deputetë si prag për kuorum. Kjo ishte ofertë që opozita ta merr bajrakun për gjetjen e 3 kandidatëve konsensual, me merita e vlera kombëtare, kurse Lëvizja duke ju mbështetur që ta realizoni këtë akt. Pra, ju bashkë propozimin e kandidatëve, ne mbështetjen. Kjo është oferta për zgjidhje, kurse çfardo refuzimi apo qëndrimi ndryshe tregon se nuk doni zgjidhje, por zgjedhje”, ka përfunduar Kryeziu-Hyseni.
Hamza: Kurti po e kërkon përkrahjen tonë për pushtet, jo për shtet
Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për qasje të papërgjegjshme dhe përpjekje për të siguruar mbështetje politike për interesa pushteti.
Në një video-adresim në Facebook të shtunën në mbrëmnje, Hamza ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet procesi i zgjedhjes së presidentit dhe raportet me opozitën.
“Po shohim sërish përpjekje për t’ia hedhur fajin opozitës për dështimin e zgjedhjes së Presidentit. Ajo që pamë nuk ishte reflektim, por vetëm ndryshim i formës. Nga fyerjet e mëhershme për ne si opozitë, dje dëgjuam moralizim peolitik. Prej gati dy vitesh, vendi po përballet me bllokada politike, jo për mungesë mundësish, por si pasojë e kësaj qeverisjeje të papërgjegjshme”, ka deklaruar ai.
Hamza ka theksuar se, sipas tij, mungesa e bashkëpunimit politik ka ndikuar në thellimin e krizës institucionale në vend.
“Çdo lider politik i përgjegjshëm, ndalet, reflekton, bashkëpunon sidomos në momentet kur vendi ka më së shumti nevojë. Kurti për vite me radhë e ka bërë të kundërt. Edhe ai tani po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Po e përkon përkrahjen tonë jo për shtetin, por për pushtetin e tij”, ka shtuar Hamza.
Ai e ka cilësuar joserioze ofertën e fundit nga Kurti që PDK-ja dhe LDK-ja të ofrojnë tre kanditatë jopartiakë.
“Edhe sot, në vend të reflektimit, po vazhdojnë fajësimet dhe manipulimet e zakonshme. ‘Ofertat’ në minutat e fundit nuk janë gjë tjetër veçse lojë politike për t’u arsyetuar para qytetarëve, jo përpjekje serioze për të ofruar zgjidhje. Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe mbetet parimo”, ka përfunduar ai.
Analistët: Propozimi i LVV-së, taktizim politik
Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që opozita të dalë me tre emra për president, vetëm tri ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, është cilësuar nga analistë si manovër politike.
Artan Muhaxhiri thotë se veprimi është marrë për të ndërtuar narrativë që mund të përdoret në fushatë, për të fajësuar opozitën për dështimin e zgjedhjes së presidentit.
“Oferta e kryeministrit Kurti dhe e LVV-së është krejtësisht e paqartë pasi nuk thuhet që me automatizëm do të pranohet një kandidaturë nga tri të propozuarat, por është mënyra kushtore, pra ekziston një kusht, një filtër nga LVV-ja që të pranohet ai. Edhe një gjë që është shumë e rëndësishme – oferta të tilla, në asnjë mënyrë nuk bëhen në mënyrë publike fillimisht, por ato duhet që të diskutohen, që të balancohen me anë të takimeve, kokë më kokë mes liderëve”, ka thënë Muhaxhiri.
Si taktizim politik e ka cilësuar propozimin edhe njohësja e çështjeve politike, Donika Emini.
“Ky është një hap i menduar mirë, megjithatë nga zoti Kurti, sepse LVV-ja e kontrollon procesin. Partitë u ftuan për të nominuar kandidatë, mirëpo nominimin ai ia kishte premtuar dhe ia ofroi edhe zonjës Osmani. Nuk është veç nominimi problem, është edhe mbështetja politike që këta kandidatë do të kenë. Pra nuk ka asnjë garanci që këta kandidatë do të kenë mbështetje politike nga LVV-ja”, ka thënë Emini
Ajo shtroi nevojën që opozita ta testojë Vetëvendosjen, duke dhënë kandidatë për president.
“Kanë tre nominime, të tretë munden që të kenë nga një kandidat, t’i propozojnë dhe të testojnë sinqeritetin e LVV-së në Kuvend përmes votave. Pastaj edhe nëse ka një proces të ri zgjedhore nuk do të jetë opozita ajo që do të konsiderohet bllokuesja e cila e kishte mundësinë e artë për tre kandidatë dhe nuk e shfrytëzoi atë”, ka thënë Emini.
Por, PDK-ja ka refuzuar ofertën, e LDK-ja e ka kushtëzuar.
Analisti Muhaxhiri thotë se zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme.
“Është e tmerrshme që po shkojmë në zgjedhje të reja, sepse nuk shoh asnjë mënyrë për të dalë nga kjo bllokadë pa zgjedhje të reja. Pra, politikanët tanë kanë treguar një ofendim të madh në raport me qytetarët e Kosovës, me krizën e madhe sepse kanë qenë krejtësisht neglizhentë, noshalantë ndaj kësaj krize, ndaj nevojave të qytetarëve edhe për shkak të kokëfortësive të tyre, pa asnjë dallim, po e dërgojmë vendin drejt zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai.
Brenda një periudhe prej pak më shumë se një viti, Kosova ka zhvilluar katër procese votimi: Zgjedhjet e rregullta që u mbajtën në shkurt të 2025-s, pastaj ato të rregullta lokale, një muaj më vonë është zhvilluar balotazhi mes kandidatëve më të votuar për kryetarë komune e në fundvit janë mbajtur edhe zgjedhjet e parakohshme nacionale.
LVV-ja oferton. PDK-ja refuzon. LDK-ja kushtëzon
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ka bërë ofertë dy subjekteve kryesore në opozitë, Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) që t’i ofrojnë tri propozime për president dhe ka dhënë zotimin për t’i ofruar nënshkrimet për t’i formalizuar kandidaturat e edhe për të votuar njërin nga kandidatët. Ofertën e ka publikuar të shtunën, tri ditë përpara se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
PDK-ja e ka refuzuar ofertën. E LDK-ja ka kushtëzuar ofrimin e kandidatit, duke përmendur si emër të përveçëm Vjosa Osmanin, e cila përmbylli këtë muaj mandatin pesëvjeçar të presidentes.
Qëndrimin e ri, LVV-ja e ka dhënë të shtunën, por bazuar në njoftimin për media, ai është marrë në mbledhjen e Kryesisë që kjo parti e ka mbajtur të premten mbrëma. Në njoftim është theksuar se në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, LVV-ja ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.
“Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi. Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja Vetëvendosje! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues. Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”, thuhet në njoftim.
Sipas LVV-së, këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.
“Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhet në njoftim. “Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje”.
Në njoftim shtrohet nevoja se një zgjidhje duhet të gjendet, dhe konstatohet se ajo është e mundshme.
“Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, është theksuar në njoftim.
Gjatë ditës së shtunën, kryeministri Albin Kurti, i cili e drejton LVV-në, ka thënë se është në pritje të PDK-së dhe LDK-së që të bëjnë bashkë një listë prej tre emrave, si kandidatë për president.
Gjatë një aktiviteti për përurimin e rrugës “Korishë-Kabash”, Kurti ka thënë se “dy partitë më të vjetra mund t’i njohin figurat seniore në shoqëri më mirë” sesa LVV-ja.
“shumë profesorë në universitete, ka shumë njerëz të cilët kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dhe kanë sakrifikuar për vendin tonë dhe s’mund të na thonë se dy partitë më të vjetra nuk mund të vijnë me tre emra”, ka deklaruar kryeministri Kurti. “Tash ne s’po propozojmë më. Është radha e opozitës dhe është për të ardhur keq që s’ma kanë thënë asnjë emër. Por le të mos ma thonë mua. Le t’ia thonë njëri-tjetrit dhe qytetarëve. Ne ua sigurojmë nënshkrimet dhe të hënën ecim përpara”.
Pas konstituimit të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza e me atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me gjetjen e një kandidati konsensual për president. Marrëveshje nuk u arrit deri më 5 mars kur mendohej se ishte dita e fundit për zgjedhjen e presidentit, e kur LVV-ja propozoi dy kandidatë – eksponentë të kësaj partie: ministrin e Punëve të jashtme, Glauk Konjufca, si dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Votimi nuk u zhvillua, meqë dy raundet e para të procesit kërkojnë pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në votim, por seanca u bojkotua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe (LS).
Të nesërmen, Osmani nxori dekretin për shpërndarje të Kuvendit, por atë e kontestuan në Kushtetuese Qeveria dhe deputetët e Vetëvendosjes, e më pas gjykata e shpalli pa efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve që ta bëjnë zgjedhjen e presidentit deri të martën e ardhshme, kur bëhen fiks dy muaj prej se ushtron aktivisht mandatin legjislatura e dhjetë.
Pas vendimit të Kushtetueses, Kurti ka zhvilluar takime vetëm me Abdixhikun. Ato nuk kanë rezultuar me marrëveshje për presidentin dhe u dakorduan të mos ketë më takime për të gjetur zgjidhje. Të njëjtën ditë, në një mbledhje të Këshillit Drejtues, PDK-ja e shpalli të mbyllur kontributin e saj në procesin e negociatave për presidentin.
PDK-ja ka refuzuar ofertën e së shtunës, që bashkë me LDK-në të ofrojnë tri kandidatura për president.
Hamza ka quajtur manovër të kryeministrit Kurti, propozimin e ri që e ka publikuar. Ai ka theksuar se çështja e presidentit për PDK-në është “ e mbyllur”.
“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga LVV-ja e s’ka as tash”, ka thënë Hamza në holl të Kuvendit, para seancës së jashtëzakonshme.
PDK-ja në diskutimet e mëhershme pati propozuar që ky subjekt t’i japë dy emra për president e që Vetëvendosje t’i mbështesë.
E, LDK-ja ka kushtëzuar ofrimin e kandidaturave.
Abdixhiku ka thënë se do ta propozojë Vjosa Osmanin për presidente, nëse LVV-ja i garanton 66 vota për të.
“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku. “Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”.
Paraprakisht, gjatë një prononcimi në Kuvend, kryetari i LDK-së e ka akuzuar kryeministrin Kurti se nuk ka dashur marrëveshje politike me këtë parti.
“Me sa kuptuam, Kurti po i kërkon 90 vota. Pra LDK-ja s’mund t’i bëjë 90 vota, që i bie që ai kërkon bashkëpunim edhe me PDK-në. Vitin e kaluar kur kisha propozuar qeverinë e unitetit, ju kujtohet se si më thoshin: ‘pa PDK-në s’po mundesh’. Duket se këtë herë ai s’po mundet pa PDK-në”, ka thënë Abdixhiku. “Nëse ka dashur vetëm me LDK-në, ne kemi qenë në diskutime, kemi pasur diskutime të gjata për marrëveshje politike midis dy subjekteve tona. Në qoftë se do vetëm me PDK-në, le t’i lidhin ata, le t’i bëjnë ato 75 vota. Në qoftë se mbetet te 15 votat e LDK-së, ulemi dhe flasim. Por, në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK mund të propozojë emra. Ne s’kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një. Mund të jetë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregojë ai 66 votat për këtë emër”.
Në procesin e negociatave për presidentin, AAK-ja nuk është ftuar nga kryeministri Kurti. Kjo parti prej rreth një muaji ka propozuar që me PDK-në dhe LDK-në të ofrojnë kandidat të përbashkët për presidenti, por këto subjekte politike nuk i janë përgjigjur ftesës.
E, ofertën e LVV-së, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar tallje me qytetarët. Ai ka thënë se propozimi nuk është kredibil.
“Jemi dy ditë para se të kryhet afati kushtetues. Është e kuptueshme që loja e Kurtit, strategjia e tij do të vazhdojë kështu me këto veprime”, ka thënë Haradinaj, para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. “Këtë që po e thotë sot ka mundur ta thotë ditën e parë. Kjo është një lojë dhe tallje me qytetarët dhe këto oferta nuk janë kredibile dhe askush nuk e di nëse këto që po i thotë i zbaton apo e ka për ta mbuluar fajin e tij për dërgimin e vendit në zgjedhje”.
Afati për zgjedhjen e presidentit mbaron më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet me automatizëm, e në situatë të tillë Kushtetuta kërkon që zgjedhjet e parakohshme të mbahen brenda 45 ditësh. Bazuar në këto afate, data më e largët kur kosovarët do t’u drejtoheshin kutive të votimit, është 7 qershori.
Abdixhiku takon Osmanin pas zhvillimeve të reja për çështjen e presidentit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar të shtunën pasdite një takim me ish-presidenten Vjosa Osmani, teksa vendi po hyn në tri ditët e fundit për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare, ka raportuar agjencia e lajmeve “Kosova Press” me burime.
Takimi vjen pas zhvillimeve të reja për çështjen e presidentit, ku Abdixhiku e ka përmendur Osmanin si një nga emrat e mundshëm për postin e presidentit si propozim nga partia që udhëheq.
Më herët gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje LDK-së dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët, jopartiakë dhe unifikues për president, deri të dielën në mbrëmje. Partia në pushtet është zotuar se do t’i tërheqë kandidaturat e veta dhe do t’i mbështesë propozimet e opozitës me nënshkrimet e nevojshme.
Megjithatë, PDK-ja tashmë e ka refuzuar këtë propozim.
Ndërkohë, Abdixhiku ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti garanci për sigurimin e 66 votave nga VV-ja në rast se LDK-ja propozon Osmanin për presidente.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.
Abdixhiku-Kurtit: E propozojmë Vjosa Osmanin nëse na i garantoni 66 vota për të
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur edhe një herë ofertës së kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se do ta propozojnë Vjosa Osmanin për presidente nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të.
Në një shkrim në Facebook të shtunën, Abdixhiku thekson se Kurti duhet të vendosë nëse synon bashkëpunim me LDK-në apo sigurimin e 90 votave në Kuvend edhe me përfshirjen e PDK-së. Sipas tij, nëse opsioni i dytë mbetet i vetmi, atëherë LDK-ja nuk mund të ofrojë mbështetje.
“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ku lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar ai.
Por në rast se Kurti do marrëveshje me LDK-në, Abdixhiku është shprehur i gatshëm ta propozojë emrin e Osmanit për presidente nëse VV-ja i garanton votat për të.
“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka shkruar tutje kryetari i LDK-së.
Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike, që të dalin me tre emra të përbashkët, jo partiakë dhe unifikues, për president deri të dielën në mbrëmje. Partia më e madhe është zotuar se do t’i tërheqë kandidaturat dhe do t’ua ofrojë nënshkrimet PDK-së e LDK-së për propozimet e tyre. Deri tash, PDK-ja ka bërë të ditur se e refuzon propozimin.
Abdixhiku: LDK-ja i ka 15 vota për propozimin e saj, Kurti s’po mundet pa PDK-në
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka akuzuar kryeministrin dhe kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, se nuk ka dashur marrëveshje politike me LDK-në për postin e presidentit. Ai ka thënë se kjo parti i ka në dispozicion 15 votat e deputetëve të saj, nëse arrihet marrëveshje me VV-në dhe LDK-ja e jep propozimin për president. E si propozim ai ka përmendur se mund të jetë edhe Vjosa Osmani.
Abdixhiku në një deklaratë për media ka thënë se Vetëvendosje me propozimin që PDK-ja dhe LDK-ja të dalin me tre emra, “Kurti po i kërkon 90 vota”.
“Me sa kuptuam, Kurti po i kërkon 90 vota. Pra LDK-ja s’mund t’i bëjë 90 vota, që i bie që ai kërkon bashkëpunim edhe me PDK-në. Vitin e kaluar kur kisha propozuar qeverinë e unitetit, ju kujtohet se si më thonin ‘se pa PDK-në s’po mundesh’. Duket se këtë herë ai s’po mundet pa PDK-në”, ka thënë Abdixhiku. “Nëse ka dashur vetëm me LDK-në, ne kemi qenë në diskutime, kemi pasur diskutime të gjata për marrëveshje politike midis dy subjekteve tona. Në qoftë se do vetëm me PDK-në, le t’i lidhin ata, le t’i bëjnë ato 75 vota; në qoftë se mbetet te 15 votat e LDK-së, ulemi dhe flasim. Por, në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK mund të propozojë emra. Ne s’kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një. Mund të jetë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregojë ai 66 votat për këtë emër”.
Haradinaj për propozimin e VV-së: Lojë e Kurtit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar tallje me qytetarët propozimin e Vetëvendosjes që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike të dalin me tre emra për president.
Sipas Haradinajt, ky propozim nuk është kredibil.
“Jemi dy ditë para se të kryhet afati kushtetues. Është e kuptueshme që loja e Kurtit, strategjia e tij do të vazhdojë kështu me këto veprime”, ka thënë Haradinaj, para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. “Këtë që po e thotë sot ka mundur ta thotë ditën e parë. Kjo është një lojë dhe tallje me qytetarët dhe këto oferta nuk janë kredibile dhe askush nuk e dit nëse këto që po i thotë i zbaton apo e ka për ta mbuluar fajin e tij për dërgimin e vendit në zgjedhje”.
Kurti: Ne jemi tërhequr nga propozimet, po i presim tre emra nga PDK-ja e LDK-ja
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është në pritje nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike që të bëjnë bashkë një listë prej tre emrave për president.
Nga një ceremoni për rrugën “Korishë-Kabash”, Kurti ka thënë se pret nga dy partitë që të nxjerrin emra jopartiakë dhe se pas publikimit të këtyre tre emrave, dy kandidatët e Vetëvendosjes për president do të tërhiqeshin.
Duke përsëritur propozimin që më herët gjatë ditës e bëri publik Vetëvendosje, Kurti ka thënë se “dy partitë më të vjetra mund t’i njohin figurat seniore në shoqëri më mirë se ne”.
“Figurat seniore në shoqërinë kosovare ata i njohin edhe më mirë se ne. Ka shumë profesorë në universitete, ka shumë njerëz të cilët kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dhe kanë sakrifikuar për vendin tonë dhe s’mund të na thonë se dy partitë më të vjetra nuk mund të vijnë me tre emra”, ka deklaruar ai. “Tash ne s’po propozojmë më. Është radha e opozitës dhe është për të ardhur keq që s’ma kanë thënë asnjë emër. Por le të mos ma thonë mua. Le t’ia thonë njëri-tjetrit dhe qytetarëve. Ne ua sigurojmë nënshkrimet dhe të hënën ecim përpara”.
PDK-ja s’do të propozojë emra për president
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të propozojë emra për president, pas ofertës së Vetëvendosjes që PDK-ja dhe LDK-ja të nxjerrin tre emra për kandidatë për president.
Propozimin e ri të VV-së, ai e ka quajtur manovër të kryeministrit Albin Kurti.
Hamza ka thënë se çështja e presidentit për PDK-në është “ e mbyllur”.
Propozimin e ri e ka cilësuar aspak serioz.
“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga VV-ja e s’ka as tash”, ka thënë ai në holl të Kuvendit para seancës së jashtëzakonshme.
PDK-ja në diskutimet e mëhershme pati propozuar që ky subjekt t’i japë dy emra për president e që Vetëvendosje t’i mbështesë.
Mustafa i LDK-së ia kthen VV-së: Propozojini me PDK-në tre emra për president
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i është përgjigjur propozimit të Vetëvendosjes që LDK-ja dhe Partia Demokratike t’i propozojnë tre emra jopartiakë për president.
Në një shkrim në Facebook, ai ka bërë të njëjtin propozim për LVV-në dhe PDK-në.
“Unë i ftoj LVV-në dhe PDK-në që së bashku të propozojnë 3 emra për President, kandidatë jashtë skenës aktuale politike. Së bashku do ta zgjidhnin Presidentin me lehtësi me 88 vota (LVV 66 + PDK 22). Për shkak të afateve kushtetuese, i pres deri nesër në mesnatë”, ka shkruar ai.
VV-ja fton PDK-në e LDK-në për president: Propozoni tre emra unifikues, tërhiqen Konjufca e Mulhaxha
Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike që të propozojnë tre emra për president, duke ofruar të gjitha nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie dhe tërheqjen e kandidaturave të Glauk Konjufcës e Fatmire Mulhaxhës.
Në një njoftim të shtunën, LVV-ja ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë të premten në mbrëmje ka vendosur të ndërmarrë “edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues”.
Në ftesën për dy partitë, VV-ja ka thënë që kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike.
“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhet në njoftim të VV-së.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin, ose Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare. VV-ja ka thënë se për shkak të këtij afati, pret përgjigje nga PDK-ja dhe LDK-ja deri të dielën në mbrëmje (26 prill).
“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ligjvënësit në Kosovë, që nga 25 marsi, kanë pasur mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi një dekret të ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në një seancë më 5 mars.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë, ndërsa nevojiten të paktën 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka pasur disa takime me udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së. Ato dështuan. Opozita e akuzon Kurtin se po i do të gjitha pozitat kyçe për vete, ndërsa Kurti ka thënë se u ka ofruar edhe poste qeveritare apo kryeparlamentarin në këmbim të votave për presidentin.
Afati për zgjedhjen e presidentit mbaron më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.