Arbëri

VV-ja e konsideron dëm të rëndë për shtetin caktimin e Shalës konsull në Pragë

Dëm të rëndë për interesat shtetërore në sferën ndërkombëtare po e cilëson Lëvizja Vetëvendosje caktimin e të birit të deputetit Haxhi Shala, Flakronit, konsull në Pragë.

Arbërie Nagavci nga kjo parti ka thënë se caktimi i Shalës në atë pozitë ishte shpërfillje e kërkesave dhe kritereve ligjore.

KOHA të martën raportoi se si deputetit Shala iu shpërblye djali me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci, nëpërmjet një procesi që është tentuar të mbahej fshehtë. Pas raportimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, u zotua që do të shfuqizojë dekretet e ish-presidentit Hashim Thaçi për misionet diplomatike, ndërsa kryeministri Avdullah Hoti premtoi analizë të misioneve diplomatike.

“Shërbimi i jashtëm diplomatik është pasqyrim i shtetit dhe interesave shtetërore. Degradimi politik e partiak i shërbimit të jashtëm, deformon dhe dëmton rëndë interesat shtetërore në sferën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për ambasadorë/e dhe konsuj profesional, më integritet dhe që përzgjidhen e emërohen në rrugë ligjore dhe në interes të shtetit, e jo emërime mbi baza të interesave partiake, familjare e si shpërblim për shërbime të brendshme private të tyre. Rruga ligjore se si mund të bëhet dikush diplomat është e qartë. Ky nuk është rasti me vendimin e ish Presidentit Thaçi për emërimin e konsullit në Pragë. Emërim i Flakron Shalës konsull i Republikës së Kosovës pa kandiduar asnjëherë dhe pa asnjë ditë pune në MPJD, ka shpërfillur tërësisht kërkesat dhe kriteret ligjore”, ka shkruar Nagavci në Facebook duke shtuar se pret që Osmani të shfuqizojë vendimin “duke mbrojtur kështu integritetin e shërbimit diplomatik të Kosovës nga ndërhyrje të tilla me pasoja të mëdha”.