Renovimet në Kuvendin e Kosovës pritet që t’i çojnë në pushim veror deputetët, porse prapa do t’i lënë të pashqyrtuara e të pavotuara dhjetëra pika të rendit të ditës, disa nga to të mbetura qysh nga vitit i kaluar.
Deputetëve u është thënë, ndonëse ende jozyrtarisht, se pushimi i tyre do të nisë që nga 15 korriku, por kjo nuk pritet t’i pengojë në mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Megjithatë, Vetëvendosje insiston që mocioni të procedohet në seancë para se ligjvënësit t’i nisin pushimet verore, por për këtë nuk po arrijnë të dakordohen me LDK-në, raporton KTV.
Në partinë e Kurtit thonë se LDK-ja e Mustafës është përqendruar më shumë në zgjedhjet e brendshme të partisë, duke u mbivendosur para agjendës opozitare.
Por, në LDK e mohojnë se kjo ka të bëjë me zgjedhjet në parti.
Në partinë më të madhe opozitare thonë se ata nuk duan të provojnë, por duan t’i sigurojnë 61 vota që ta rrëzojnë nga Qeveria koalicionin PAN.
Por, partitë në pushtet nuk po i marrin seriozisht deklarimet e opozitarëve.
Thonë se prej dy vjetësh i kanë traumatizuar votuesit e tyre me mocionin, por nuk kanë bërë asgjë pos fjalëve.
Edhe pushteti, edhe opozita, ndërkaq, flasin njëzëri kur bëhet fjalë për efikasitetin e punës së Kuvendit. E quajnë një nga legjislaturat më të dobëta, por të dyja palët ia hedhin fajin njëra-tjetrës për mos punë.
Pushteti e pranon se pa Listën Serbe nuk i ka votat për të kaluar projektligjet, e opozitën e akuzon se për ambicie të pushtetit, po e favorizon Listën Serbe.
Opozita, ndërkaq, thotë se kjo Qeveri është skandaloze dhe pa kredibilitet, sepse po udhëheq vetëm me 52 vota në Kuvend.