Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësim rreth projektligjit për RTK-në i cili është duke u hartuar.
Deputeti i kësaj lëvizje, Valon Ramadani, në një konferencë për media ka thënë se situata në RTK nuk është aspak e mirë, as për nga cilësia, korrektësia e programacioni e as nga menaxhimi dhe drejtimi i saj.
“Në këto kushte komisioni parlamentar që e mbikëqyre këtë institucion mori iniciativën për të hartuar projektligjin për RTK-në. Por hartimi i tij, është përcjellë me probleme të saj. Një problem tepër i madh është skema e financimit të RTK-së siç parashihet në këtë projektligj. Anëtarët e grupit punues të komisionit kanë vendosur pagesën me 2.5 euro në muaj për çdo subjekt fizik dhe juridik. Po ashtu, kanë vendosur që këto të ardhura të bëhen përmes kompanisë private KEDS”, ka thënë ai, raporton “Koha Ditore”.
Sipas Ramadanit, në grupin punues për hartimin e projektligjit është dashur të marrin pjesë specializantë të lartë të inxhinierisë dhe të fushës dhe të ekonomisë e financave.
“Nuk besojmë që këtë projektligj kaq të rëndësishëm mund ta hartojnë anëtarët e komisionit të cilët asnjëri nuk janë nga fushat e nevojshme”, ka shtuar Ramadani.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që mos ta pranojnë versionin aktual të projektligjit pasi siç ka thënë përmes tij do të bëhet zhvatja e parave të qytetarëve.