30 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të anulohet vendimi i kryeministrit, Ramush Haradinaj, për rritje të pagës së tij dhe të kabinetit qeveritar.
Në emër të deputetëve nënshkrues, këtë kërkesë në Kushtetuese e ka dorëzuar deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, raporton KTV.
Ajo ka theksuar se me këtë vendim të Qeverisë Haradinaj, janë shkelur disa nene të Kushtetutës së Kosovës.
Në këtë kërkesë të deputetëve, Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar masë e përkohshme, pezullim i vendimit për pagat, deri në vendimin e kësaj gjykate.
Nënshkrimet për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, i kanë dhënë 27 deputetë të grupit parlamentar të “Vetëvendosjes”.
Gjithashtu, pjesë e nismës janë edhe dhe tre deputetë të grupit parlamentar të LDK-së, Vjosa Osmani, Ilir Deda dhe Korab Sejdiu.
Por, pjesë e kërkesës nuk ishin tre deputetët e “Vetëvendosjes”, Dardan Molliqaj, Fisnik Ismajli dhe Aida Dërguti.
Edhe
Vetëvendosje pret të shfuqizohet vendimi i Haradinajt për rritje pagash
Gjykata Kushtetuese ka afat 60 ditë për të shqyrtuar këtë kërkesë të 30 deputetëve të Kuvendit.
Më 20 dhjetor, kryeministri Haradinaj mori vendim për rritje të pagës së tij dhe të kabinetit qeveritar.
Paga e tij është dyfishuar, nga 1 mijë 450 euro, në 2 mijë e 950.