Shkëmbimi i territoreve vazhdon të mbetet një nga temat më aktuale për qytetarët. Ndërkaq, deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, në lidhje me korrigjimin e kufijve, kanë ngjallur reagime të qytetarëve të Kosovës.
KosovaPress ka intervistuar disa qytetarë nga komuna e Vushtrrisë, të cilët janë shprehur kundër korrigjimit të kufijve të Kosovës.
Një qytetar, i cili foli para kamerave, por nuk deshi të identifikohet me emër e mbiemër, mundësinë për korrigjim të kufijve e quajti katastrofë.
“Ajo nuk duhet të ndodhë kurrë. Ajo është katastrofë. Ai e ka për interesa të veta. Sigurisht që duhet m’u angazhu. Nuk mundet një njeri një shtet me ba çka don.”
Kurse Sadri Hyseni tha se presidenti Thaçi është gabim. Sipas tij, Serbia po tenton të na marrë edhe Mitrovicën e Trepçën. Ai tha se fajtorë për këtë gjendje janë qeveritarët, të cilët i quajti të pashkolluar.
Edhe
Ministrja serbe i kërkon falje Vuçiqit pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”
“Thaçi, çka më duket mu, është shumë gabim i madh. Kufijtë duhet me kanë qashtu qysh janë kanë edhe mos me lu. A nëse vazhdojnë kështu, korrigjim, jo ndërrim, jo anej, na e kemi hupë gjysmën e Kosovës. Thaçi më duket është hala në gjumë. Ai njeri nuk e di çka është puna e tij. Ai njeri ka luftu për qet vend, e tash korrigjim? Kufijtë janë në vend. Unë s’di çka me korrigjua tash përsëri, jo. Ah Serbia tenton, normal, kqyr edhe Mitrovicën me ta marr, edhe kur ta merr Mitrovicën e Trepçën, atëherë Kosova le ta lëshon venin krejt. Asi njeri s’na duhet, në qeveri absolut. Njeri i pashkollum, ranë qeta njerëz të pashkollum, na qiten e na lanë qetu”, ka thënë Hyseni.
Kurse Shaip Gërguri, tha se Thaçi duhet të merret me qeverinë fillimisht. Ai u ankua për pensionet e vogla dhe tha se presidenti po luan me popullin, në vend se të merret me ta. Gjithashtu, Gërguri tha se qeveria po e lë anash çështjen e të pagjeturve teksa po bisedojnë për shkëmbim territoresh.
“Zotni Thaçi le te ruan qeverinë... T’u e vjedh, t’u e hëngër, e për popull të vet nuk është t’u interesua asnjë trohë. Me 75 euro, ilaçe s’po më dalin mu. 69 vjet i kam, kemi punu në Trepçë për 12 vjet, ai zotnia neve s’na i bani qato që kemi punu, me na i dhanë. Na kanë qitë, për pak jemi dalë prej pune. E sot po lun me popullin e vet, po do me i dhanë shtetit serb, mu ba mik me ta. A të pagjetunit, ku janë, ata që janë vra, janë myt, edhe kërkun hiç s’po bisedon me ta. O tu bisedu me ia dhanë do tokë, Trepçën me ia dhanë”, ka thënë Gërguri.
Ndërkaq, Ahmet Hajdini është shprehur në dilemë rreth çështjes së korrigjimit të kufijve. Por, sipas tij, kjo nuk duhet të ndodhë.
“Po nashta bre ata e dinë ma mirë. Sa e di unë, nuk ban me ba korrigjim, se ajo, Serbia mezi s’pret me ba diçka. Qeshtu”, ka thënë Hajdini.
Një qytetar tjetër, Sali Fejzullahu, është shprehur kundër ndarjes së Kosovës dhe ka thënë se kufijtë e Kosovës janë aty ku duhet të jenë.
“Në kufi, nuk ban me nda Kosovën hiç. Kosova e ka audutin e vet anej. Mu nda, nuk bahet hiç, kurrsesi, hiç. Thaçi ka thanë në televizor, nuk ban tha kufijtë mu vendos aty, hiç. Kufini i Kosovës është për Kosovë, edhe fit, ma nuk ka”, ka thënë Fejzullahu.
Ndërsa Shahip Gërxhaliu, ka thënë se korrigjimi nuk duhet të ndodhë. Por sipas tij, edhe nëse bëhet, atëherë duhet të shyrtohen kufijtë që kanë pasur shqiptarë para qindar vjetësh.
Edhe
Vuçiq vazhdon ta vuajë që Mali i Zi e ka pranuar pavarësinë e Kosovës
“Jo valla, kurrë, korrigjim me pasë, me kanë që i lypim kufijtë ku i ke pasë, para 100 a 130 vjete. Ata shqiptarë që i kanë hek..., ku janë ata kufinj? Ata shqiptarët i kanë hek me zor. Na duhet me lyp deri atje, se jo këta ktu”, ka thënë Gërxhaliu.
Ideja për korrigjimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë ka ardh nga presidentët e dy vendeve, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandër Vuçiq.