Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vulin, “Thaçi ka ikur me vrap para UJ, do të ikë zvarrë para asaj të Serbisë”

Beograd, 30 mars – Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, deklaroi sot se “përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, erdhi në Beograd meqë me Beogradin bisedon, ndërsa Prishtinës i jep urdhra”. Siç citohet nga mediat e Beogradit, ai ka thënë se Brukseli ka kuptuar se me presidentin e Serbisë duhet të bisedojë nëse “do paqe në rajon”, transmeton Koha.net.

Sipas tij “Prishtina dërgon mesazhe se duam veriun e Kosovës, duam manastiret, por jo edhe Kishën Ortodokse Serbe”. Ndërsa për rastin e të hënës në veri të Mitrovicës është shprehur: “Ajo që thotë Prishtina se me sulmin terrorist mbi serbët konfirmoi sovranitetin e saj, atëherë kështu edhe Al Kaida dhe Shteti Islamik do të ishin sovranë”.

“Sa i përket Thaçit dhe trimërisë së tij të madhe, më herët ai ka vrapuar para Ushtrisë së Jugosllavisë, ndërsa herën tjetër po qe nevoja do të shkojë barkas para Ushtrisë së Serbisë”, është shprehur në mënyrë provokuese ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, transmeton Koha.net.