Profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Anton Vukpalaj, ka thënë se Bordi i Paqes, i sapoformuar nga Shtetet e Bashkaura të Amerikës dhe i nënshkruar nga 19 shtete përfshirë Kosovën, është lloj alternative për Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, OKB-ja veçse është në gjendje kome dhe SHBA-ja ka dashur të ketë një rol dominues.
“OKB-ja është dobësuar me shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe me përmbysjen e rregullave ndërkombëtare të multilateralizmit, njëfarë mënyre e ka humbur fuqinë e vet”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së. “OKB-ja është në një gjendje kome nëse mund të themi. Sot s’ka peshë të madhe që mund të marrë vendim për të pasur ndikim në nivel ndërkombëtar. Kjo edhe për shkak se sa më i madh të jetë konfrontimi mes shteteve sidomos ato që kanë të drejtën e vetos vendimmarrja shumë më e vështirë”.
Vukpalaj ka vlerësuar se propozimi amerikan ka qenë me idenë që SHBA-ja të jetë liderë dhe të ketë një rol kryesor në një organizatë ndërkombëtare.
Ai ka thënë se kjo kërkon kohë pasi fillimisht “duhet të krijojë legjitimitet” e që “shtetet t’i bashkangjiten”. Vërejtje fillestare sipas tij ka qenë fakti se Bordi i Paqes po shihet më shumë si marrëveshje ekonomike.
Vukpalaj: Kosova ka rrezik potencial sigurie, Lavrovi përmendi rastin e Krimesë
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Anton Vukpalaj, ka konsideruar se Kosova ka rrezik potencial të sigurisë.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Vukpalaj ka thënë se aktualisht askush nuk po merret me Kosovën për shkak të “lojërave” që po bëhen në nivel global.
“Ekziston një rrezik potencial për Kosovën, tash nëse e shikojmë në këtë konstalacion ndërkombëtar nuk e besoj se është duke u marrë dikush me ne për shkak të lojërave që janë duke u bërë në nivel global, mirëpo impakti sigurisht se mund të jetë shumë i rëndësishëm edhe për ne”, ka thënë ai.
Vukpalaj e ka përmendur edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Sergei Lavrov, i cili gjithnjë rastin e Kosovës e krahason me atë të Krimesë.
“Dje ishte një deklaratë e Lavrovit, ministrit të jashtëm rus, që tha se ne e përkrahim aneksimin e Grenlandës prej Amerikës për shkak se është çështje e sigurisë nacionale. Kështu tha ka qenë edhe çështja e Krimesë, për atë arsye e kemi aneksuar edhe ne Krimenë. Kjo është ajo që Serbia për një kohë të gjatë është munduar ta avancojë si “Kuti të Pandorës”, atëherë kur ishte çështja e Kosovës, për ta përdorur si një argument që Kosova, pavarësia e saj, do të krijojë një precedent”, ka thënë ai.
Vukpalaj: Sulmi i Amerikës ndaj Grenlandës do të shënonte fundin e NATO-s
Profesori i shkencave politike në Universtetin e Prishtinës, Anton Vukpalaj, ka thënë se një sulm ushtarak i Amerikës ndaj Grenlandës do të shënonte fundin e NATO-s.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është duke insistuar që ta marrë Grenlandën, një territor gjysmëautonom danez.
Trump të mërkurën në Davos ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake, ndonëse më herët e kishte lënë të hapur këtë mundësi.
“Një sulm potencial i Amerikës kundër Grenlandës do të shënonte fundin e NATO-s”, ka thënë Vukpalaj në “Konfront” të KTV-së.
Vukpalaj thotë se edhe tash Amerika ka qasje të pakufizuar në Grenlandë dhe se ka pasur bazë të madhe ushtarake atje dhe ka një numër të caktuar ushtarësh.
“Ideja se paraqitet rrezik që potencialisht me ndiku Rusia nuk besoj se qëndron”, ka thënë Vukpalaj, duke folur mbi pretendimet e Trumpit se Grenlanda është shumë e rëndësishme për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së pasi “Kina e Rusia po synojnë ta shtrijnë ndikimin atje”.
Ai ka thënë se në historinë moderne nuk mbahet në mend që SHBA-ja të ketë pasur një lider me sjellje të tillë.
“Ka pasur fjalime sistematike të Trumpit të ashpra e denigruese ndaj shumicës së liderëve evropiane. Edhe dje në Davos fjalimi i tij ishte shumë specifik. Stil i ri që nuk e kemi përjetuar në krye të Amerikës. Diçka e re po ndodh. Për këtë arsye po provokon shumë reagime dhe shumë çudi...Ky stil i drejtpërdrejt e ashpër nuk besoj se është parë në SHBA së paku jo në historinë moderne”, tha Vukpalaj.
Vukpalaj: As Amerika më nuk po përdor "softpower"
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Anton Vukpalaj, vlerëson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës më nuk janë duke përdorur “softpower” dhe se “America First” në masë të madhe është kthim te rregulltat e fuqisë.
Ai ka thënë se është duke u zhvilluar një përplasje mes dy superfuqive, SHBA-së dhe Kinës.
“Njëra është autokratike dhe nuk është e interesuar për demokracinë e të drejtat e njeriut. Tjetra është Amerika, së paku deri tash, pasi edhe Amerika nuk e ka më demokracinë, nuk e përdor ‘softpower’. Po e shohim se edhe në Amerikë kjo po ndryshon. ‘America First’ është në masë të madhe kthim te rregullat e fuqisë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare e krijon kjo njëfarë pasigurie, pasi kur shtetet luftojnë për të dominuar njëra-tjetrën atëherë nuk ka rregulla. Rregullat janë të parëndësishme”, tha Vukpalaj në “Konfront” të KTV-së.
Konceptin e “softpower” apo aftësisë për të ndikuar te të tjerët përmes bindjes dhe shembullit e jo me forcë e kërcënime e ka zhvilluar politologu amerikan Joseph Nye Jr. Sipas tij, është edhe koncepti i “hard powerit” apo fuqisë, sanksioneve dhe presionit apo ekonomik, dhe “smart power” si kombinim i të dyjave.