Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të shtunën në orën 08:00, sipas “Novosti”.
Ky organ do të takohet menjëherë pas takimit të kreut të Serbisë me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, por edhe me të dërguarin special të Berlinit dhe Parisit, Jens Plotner respektivisht Emmanuel Bonne.
Plotner dhe Bonne do të vijnë në Kosovë dhe Serbi pas një letre të përbashkët të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, në të cilën ata “inkurajonin” Vuçiqin që të merrte vendime të vështira për Kosovën.
Prandaj pritet që temë kryesore në këtë mbledhje të jenë ngjarjet në Kosovë dhe sfidat e sigurisë, veçanërisht pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e përdorimit të targave serbe, gjë që ngriti tensionet në veri.