Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se ndër temat e diskutimit të mërkurën ishte edhe dialogu Kosovë – Serbi.
“Kemi diskutuar për dialogun Beograd – Prishtinë. Besoj se mund të vazhdohet në ton konstruktiv. Nuk dua ta përdori rastin për ta kritikuar ndokënd, vetëm dua të them se për tango duhen dy”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se anëtarësimi në Bashkim Evropian për Serbinë “është angazhim strategjik dhe përparësi e politikës së jashtme”.
“Kjo s’do të ndryshojë. Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, nuk kemi hapur asnjë kapitull të vetëm, asnjë grup të vetëm...Shpresoj që KE-ja të gjejë një mënyrë për ta bërë më të lehtë për vendet kandidate”, tha Vuçiq. “Nuk kemi bërë deklarata shumë optimiste për anëtarësim në BE. S’mund të premtoj asgjë sot, përveç se do të punojmë shumë dhe do të sakrifikojmë e shpresoj se do ta kemi mbështetjen e BE-së për të bërë gjitha këto dhe se ata do të na dëgjojnë në Bruksel. Nuk është kaq e thjeshtë”.
Von der Leyen tha se Serbia dy dekada më parë mori vendim t’i bashkohet BE-së. Ajo e ka ftuar Vuçiqin në Bruksel muajin e ardhshëm për të vazhduar diskutimet.
Ndërsa tha se Serbia e ka harmonizuar 61 për qind të politikës së jashtme të saj me atë të BE-së, por ka thënë se duhet më tepër.
Vuçiq: Në kampin për stërvitje luftarake në Serbi ishin edhe tre shtetas rusë
Autoritetet në Serbi kanë konstatuar se në kampin për stërvitje luftarake-taktike të shtetasve moldavianë dhe rumunë në perëndim të Serbisë kanë qenë të pranishëm tre shtetas të Federatës Ruse, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 15 tetor.
Këtë deklaratë Vuçiq e bëri gjatë konferencës për media në Beograd me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ishte verifikuar pretendimi se shërbimet ruse qëndronin pas kampit luftarak pranë Loznicës.
“Nuk mund të them se ishte ndonjë shërbim rus, por kemi konstatuar praninë e tre shtetasve rusë në kampin Sunçana Reka, afër Loznicës. Kemi shoqëruar personat e kombësisë serbe që ishin të disponueshëm për ne. Ata na dhanë informacion për personat në fjalë dhe hetimi vazhdon”, shtoi presidenti serb.
Më 26 shtator, Policia në Serbi arrestoi dy persona nën dyshimet se kishin organizuar trajnime luftarake-taktike për shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë, me qëllim që ata të nxisnin trazira në Moldavi.
Këto arrestime ndodhën pasi autoritetet në Moldavi publikisht paralajmëruan për ekzistencën e kampeve luftarake në Serbi, duke thënë se ato ishin organizuar nga një shërbim sekret rus me qëllim destabilizimin e Moldavisë gjatë zgjedhjeve që ky shtet mbajti së voni.
Moska mohoi akuzat, ndërsa policia dhe prokuroria serbe në njoftimet e tyre nuk e përmendën Rusinë.
Policia serbe njoftoi se trajnimi u zhvillua nga 16 korriku deri më 12 shtator në një objekt afër Loznicës, në pjesën perëndimore të Serbisë dhe, sipas autoriteteve, në të morën pjesë midis 150 dhe 170 shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë.
Kjo nuk është hera e parë që Moldavia paralajmëron për ekzistencën e kampeve ruse në Ballkanin Perëndimor.
Përpara zgjedhjeve të vitit 2024, Kishinjevi tha se në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë ishin organizuar trajnime të drejtuara nga persona të lidhur me paramilitarët rusë.
Beogradi nuk e ka konfirmuar ekzistencën e tyre.
Moldavia e ka informuar Bashkimin Evropian për rastin e ri./REL
Von der Leyen leksion Vuçiqit midis Beogradit: Është koha për hapa konkretë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka thënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është koha që të merren hapa konkretë.
Ajo ka thënë se duhet parë përparim në fushën e sundimit të ligjit, mediave eletronike dhe ligjin zgjedhor. E po ashtu të bëhet harmonizim më tepër në politikën e jashtme të Serbisë me atë të BE-së.
“Ne jetojmë në një botë të fragmentuar, që po zgjeron hendekun mes demokracisë dhe autokracisë. Ju e dini shumë mirë se cili është qëndrimi i BE-së, qëndrimi ynë nënkupton liri, jo shtypje, duke përfshirë të drejtën për tubime paqësore. Gjithashtu, ne mbështesim partneritetin, jo nënshtrimin, diplomacinë në vend të agresionit. Vendimi që Serbia të bashkohet me BE-në nuk ishte vetëm strategjik, por ishte dëshira e qytetarëve të Serbisë. Pothuajse dy dekada më parë, Serbia bëri zgjedhjen për t’iu bashkuar BE-së”, tha Von der Leyen në Beograd.
Ajo e ftoi Vuçiqin në Bruksel muajin e ardhshëm.
“Z. president, tash është momenti i duhur që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit. Pika e parë është se duhet të shohim përparim në fushën e sundimit të ligjit, medias elektronike dhe ligjeve zgjedhore. Ia vlen të bësh përpjekje, sepse kështu i afrohesh qëllimit. Zbatimi është gjëja kryesore, dhe për këtë arsye do t’ju ftoja të vinin në Bruksel pas rreth një muaji”, tha ajo.