Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiqi nuk beson në një ushtri të fortë të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka dashur të komentojë qëndrimin e sotëm të ish-komandantit të Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjeneralit amerikan Wesley Clark, në bazën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë.

Ai nuk ka dashur të futet në telashe me Clarkun e SHBA-në, por ka shfrytëzuar rastin të komentojë FSK-në.

“Ata kanë pushtet faktik në terren dhe po i ngacmojnë serbët, por nëse më thoni që ata do të bëjnë një ushtri të fortë, ajo është aq e dobët në raport me ne. Ata kanë burime njerëzore dhe asgjë më shumë”, ka thënë Vuçiq, përcjell b92.

Ai ka folur edhe rreth rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, që po diskutohet e pritet të votohet sot në Kuvendin e Kosovës. Tha se kjo është pasojë e nismës së mëhershme që ka ndërmarrë Mali i Zi me miratimin e një rezolute të tillë.

"E vetmja gjë që më habit në këtë drejtim është se Podgorica ishte më e zellshme se Prishtina", shtoi Vuçiq.

Serbia nuk pranon se ka pasur gjenocid në Srebrenicë, ku më 11 korrik 1995 u vranë mbi 8.000 burra myslimanë të paarmatosur dhe nuk pranon rolin e saj në këtë krim, më të madhin në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.