Arbëri

Vuçiq tregon për bisedën që pati me Michelin, thotë se po pret ftesë nga Brukseli

Aleksandar Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për televizionin serb, “RTS”, ka thënë se ka pasur një bisedë telefonike 40-minutëshe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Vuçiq tha se gjatë bisedës ka folur ndër të tjera edhe për Banjskën. Në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë tjerë.

“U them ‘unë jam fajtor’. Të shpjegohem se si dhe çfarë ndodhi, nuk ia vlen. Gjithmonë do të jem në anën e serbëve që internohen, a jam fajtor për këtë? Jam fajtor. E di se kush kërkon fajin e kujt”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se Evropa “duhet t’i shohë interesat e saja strategjike dhe t’i ofrojë diçka Serbisë”.

Vuçiqi ka thënë se me Michelin kanë biseduar edhe për “çështjen e dinarit”. Ai ka përsëritur se po pret ftesën nga Brukseli.

“Ne presim një ftesë që dikush të shkojë në Bruksel, por nuk e dimë për çfarë të flasim, sepse Kurti nuk do të flasë për Asociacionin, nuk pezullon punën e dinarit, dhe ka mbështetje të disa faktorëve të fuqishëm, por diçka duhet të zgjidhet në ditët në vijim, sepse serbët në Kosovën e M. duhet të marrin pagat e tyre”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se nuk do të mund të përmbushë asnjë kusht që ka të bëjë me pranimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare. Po ashtu ka thënë se kurrë s’do ta njohë Kosovën.

“Ajo është fëmija e tyre. Sado që zemërohen me të, do ta përkëdhelin që ‘fëmija të flejë në djep’”, tha ai, duke folur për situatën në Kosovë dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vuçiqi ka folur për takimin që kishte pasur vitin e kaluar me gjashtëshen e madhe evropiane.

“Të gjashtë ishin përballë meje në Bruksel. Unë u thashë të gjitha që kemi thënë se do t’i përmbushim, do ta bëjmë, por s’mund të përmbushim atë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë. Atë e kam thënë edhe në Kuvend dhe kurrë s’kam gënjyer askënd. Nuk mund të përmbushim çështjet lidhur me integritetin territorial të Kosovës, anëtarësimin në OKB dhe në agjencitë e OKB-së. Kam cekur atë që mund të përmbushim dhe atë që s’mundemi. Ne kemi filluar përmbushjen e një pjese të tyre, por Prishtina s’ka përmbushur asgjë dhe s’do ta përmbush kurrë”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se diskutimet që po bëhen brenda Serbisë e kundërshtimet që po ka ndaj tij “po i japin Kurtit municion dhe po e dëmtojnë Serbinë”.