Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiq shpreson që Spanja e Hungaria ta bllokojnë pranimin e Kosovës në NATO

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova s’do ta ketë të lehtë të anëtarësohet në NATO, për shkak të, siç ka thënë, rezistencës së fuqishme të Spanjës dhe Hungarisë.

“Ata mund të pranohen në NATO, por s’do ta kenë lehtë sepse ka shtete anëtare që s’e njohin Kosovën. Do të ketë rezistencë shumë të fortë nga Spanja, por edhe nga shtete të tjera që e kanë njohur Kosovën, si vëllezërit e motrat tanë nga Hungaria”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve në një vizitë të premten.

I pyetur për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, Vuçiqi ka thënë se ishte “turp special”.

“Asgjë si kjo s’ka ndodhur më parë në histori”, ka thënë ai, raporton “Danas”.

Vuçiqi ka folur edhe për vendimin e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut për hapjen për qarkullim të Urës së Ibrit. Ai ka thënë se për këtë vendim e ka njoftuar KFOR-in dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, “kjo lëvizje synon konflikte të reja në mes të Beogradit dhe Prishtinës”. Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po përpiqet të provokojë konflikte në veri” duke shtuar se “Beogradi zyrtar s’do ta lejojë këtë”.