Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shpreson të arrihet marrëveshje me Kosovën.
Ai ka folur për bisedimet e zhvilluara në Bruksel të mërkurën.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pati takim bilateral me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak në Bruksel, ndërsa po ashtu pati takim bilateral edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Derisa Bislimi tha se pala kosovare është pajtuar me një draft-marrëveshje të propozuar, nga pala serbe ende nuk është arritur pajtimi. Petkoviq po vazhdon ende diskutimet me Lajçakun.
“Ne kurrë nuk i kushtëzojmë bisedimet, dialogun dhe për ne është diçka themelore që dialogu të jetë nën udhëheqjen e BE-së”, ka thënë Vuçiq, i cili nuk ka folur në detaje për bisedimet, por ka shtuar se është afër marrëveshja. “Unë dua të besoj se nuk jemi larg një zgjidhje të problemit aktual dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të shmangim problemet e mundshme në të ardhmen, që është e rëndësishme. Premtoj se delegacioni në Bruksel do të bëjë përpjekje për të arritur një marërveshje, për të ruajtur paqen dhe për të nënshkruar më shumë marrëveshje që do të thotë një ekonomi më të mirë për të gjithë. Serbia nuk do të jetë anëtare e BE-së derisa nuk do të zgjidhë marrëdhëniet me Prishtinën, por ne do të luftojmë dhe zgjidhim gjërat”, tha Vuçiq gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Vuçiq ka thënë se çdo lloj destabilizimi ka efekt të rëndë për gjithë rajonin, përfshirë tërheqjen e investimeve.
Ai ka pranuar se Serbia nuk mundet të futet në BE pa zgjidhur plotësisht çështjet e hapura me Kosovën.
Edhe
Vuçiqi nga Brukseli: Nesër t’i vendosim sanksione Rusisë dhe ta njohim Kosovën, kështu jemi në BE
“Ne nuk do të jemi anëtarë të BE-së derisa t’i zgjidhim plotësisht marrëdhëniet tona me Prishtinën”, tha ai.
Ursula von der Leyen ka thënë se është shumë mirë që palë po bisedojnë në Bruksel.
“Është mirë që po zhvillohen bisedime në Bruksel. Rajoni ka nevojë për pajtim dhe ju jeni pjesë e kësaj. Serbia po jep kontribut të rëndësishëm dhe zëri i saj do të dëgjohet. Ne po ju dëgjojmë. Jemi të gjithë dakord se Serbia ka bërë një rrugë të gjatë. Përpjekjet që Serbia po bën nuk janë vetëm për BE-në, por për ta përmirësuar jetën e të gjithëve në Serbi. Disa parakushte duhet përmbushur. BE-ja ka ndërtuar vlera që duhet të respektohen. Ne e dimë se po përparoni, por është proces që do kohë. Sundimi i ligjit dhe demokracia janë vlera të mëdha. Ne kemi mësuar se jemi tepër të fortë nëse punojmë së bashku. Unë dua që Ballkani të jetë i integruar dhe të ngre standardet e një tregu të vetëm”, ka thënë Von der Leyen.