Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi është pothuajse inekzistent. Në një konferencë për media të premten, Vuçiq ka thënë se takimi i fundit në Berlin ka qenë vetëm “përpjekje në dialog”.
Sipas tij, që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, serbët në Kosovë kanë përjetuar 50 për qind më shumë sulme e incidente.
“128 sulme më 2021 dhe askush as që ka reaguar ndonjëherë për këtë”, ka thënë ai.
Sipas Vuçiqit, dialogu është pothuajse inekzistent “sepse zotërinjtë nga Prishtina nuk e duan”.
Ai ka thënë se Kosova ka refuzuar një deklaratë të përbashkët nga takimet në Berlin.
Vuçiqi ka shtuar se Serbia do të vazhdojë rrugën Evropian “dhe do të jetë më e fortë në këtë rrugë”.
Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin, ka përdorur analogji me Kosovën në rastin e dy territoreve të Ukrainës që shpallën pavarësinë “për të mbrojtur interesat ruse”. Ka thënë se kjo nuk nënkupton që Rusia do ta njohë Kosovën.