Inspektorati Policor ka njoftuar për arrestimin e 6 policëve dhe ka rekomanduar suspendimin e 9 të tjerëve që ishin të pranishëm në ndejë private. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka kërkuar rishikimin e rregulloreve të lidhura me mbajtjen e armëve zyrtare jashtë orarit të punës
Një polic ka vdekur si pasojë e plagëve të marra mesnatën e së premtes, nga shkrepja e armës zyrtare që dyshohet të jetë bërë aksidentalisht nga kolegu i tij, në një ndejë private në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës.
Mbështetur në raportin 24-orësh të Policisë, viktima nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK.
Sipas njoftimit të Policisë, prokurori i shtetit ka autorizuar Inspektoratin Policor që të merret me rastin.
IPK-ja, në një komunikatë, ka shkruar se dyshohet që rasti të ketë ndodhur në një ndejë private ku kanë marrë pjesë 15 zyrtarë policorë, që të gjithë jashtë detyrës zyrtare.
Inspektorati ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale të vrasjes. Të njëjtit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, si dhe është suspenduar nga detyra.
IPK-ja ka arrestuar edhe 5 zyrtarë të tjerë, të cilët ishin prezentë në ndejë dhe po ashtu ka rekomanduar suspendim edhe për 9 policë të tjerë.
“Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të ‘Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë të tjerë policorë (që ishin prezentë në ndejë), kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar. IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët e tjerë policorë që ishin prezentë në këtë rast”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit të Policisë.
Të përfshirët në incident i takojnë gjeneratës së re të Policisë së Kosovës.
Për këtë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se policëve të rinj do të duhej që për një periudhë të mos u jepet arma zyrtare.
“Unë mendoj që në këtë aspekt duhet të shikohen disa modalitete se këta zyrtarë edhe pasi të kalojnë pjesën e trajnimit të terrenit të mos u jepet arma edhe për një vit tjetër e të angazhohen brenda detyrave të stacionit policor, dhe tek në vitin e tretë të shërbimit të tyre të kenë qasje në armën zyrtare të zjarrit, dhe kështu dalëngadalë të familjarizohen me këtë armë dhe njëkohësisht gjatë kësaj periudhe të mos kemi raste të tilla”, ka thënë Shala.
Sipas tij, edhe pse posedimi dhe përdorimi i armëve u lejohen zyrtarëve policorë për arsye sigurie edhe jashtë orarit të punës, një gjë e tillë do të duhej të rishikohej.
“Pra, janë disa çështje që duhet pritur se si po rrjedh verdikti final i hetimeve dhe pastaj në kuadër të Policisë së Kosovës, menaxhmenti duhet të analizojë dhe duhet të shikojë modalitete të cilat mund t’i përdorë në të ardhmen, që raste të tilla të mos na ndodhin dhe të mos rrezikohet jeta e zyrtarëve, por edhe njëkohësisht të mos kemi aksidente me fatalitet”, ka thënë ai.
Për vrasjen e policit ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës dhe ka kërkuar hetimin e plotë për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Përdorimi i armëve të zjarrit rregullohet me nenin 27 të Ligjit për Policinë, sipas të cilit zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit kundër personit tjetër vetëm kur mjetet më pak ekstreme janë të pamjaftueshme që ta mbrojë jetën e vet ose jetën e të tjerëve nga sulmet e pashmangshme, si dhe në raste të tjera rreziku.