Vrapimin dhe ecjen e shpejtë qytetarë të shumtë preferojnë ta bëjnë në Tokbashqe, pasi është i vetmi park që e ka shtegun prej gome.
Megjithatë, as ky shteg nuk po i plotëson kushtet e duhura për vrapim pasi është dëmtuar shumë.
Që nga ndërtimi i tij para 10 vjetësh, nuk është intervenuar asnjëherë më në të.
Qytetarët kërkojnë investim edhe në këtë park, pasi Komunës së Prishtinës po i teprojnë çdo vit dhjetëra-miliona euro.
Ka qytetarë që po ankohen se nuk kanë hapësirë për të vrapuar, pasi ky shteg po shfrytëzohet edhe nga çiklistët, por edhe për shëtitje.
Por, kjo rrugë e vrapimit nuk pritet të rregullohet në kohë të shkurtër.
Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha, thotë se janë në garën e dërgimit për tenderim, por nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do të bëhet kjo.
Por, më afër realizimit është një shteg i ngjashëm në lagjen Arbëria.
“Ka kaluar në tenderim një shteg i ngjashëm me atë të Tokbashqes që do të ndërtohet në Arbëri, është në fazën e fillimit të kontratës dhe shumë shpejt pritet të nënshkruhet. Është i ngjashëm me atë të Tokbashqes dhe shpresojmë që do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve të Arbërisë, Kodrës së Trimave dhe të Xhamisë së Llapit”, tha Rexha.
Përveç Tokbashqes, qytetarët mund të shfrytëzojnë për vrapim edhe Parkun e Gërmisë, mirëpo, i njëjti nuk ka një shteg të rregulluar përveç shtegut malor.