Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Votimi për Teatrin i rregullt, rrëzohet kërkesa e opozitës në Shqipëri për anulimin e Ligjit

Sekretariati i Kuvendit për Procedurat dhe Votimet rrëzoi sot kërkesën e opozitës për anulimin e votimit të ligjit “Për Teatrin Kombëtar”, që kaloi ditën e enjte me 75 vota pro.

Në përfundim të seancës plenare, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi lexoi vendimin e Sekretariatit të Kuvendit.

Ai informoi se në mbledhjen e sekretariatit u thirr edhe deputeti Robert Bitri dhe administrata dhe me shumicë votash sekretariati rrëzoi kërkesën e paraqitur nga kyetarët e grupeve parlamentare PD-LSI për shpalljen e të pavlefshme të votimit dhe e konsideroi të drejtë votimin e Kuvendit. Sipas sekretariatit “asnjë deputeti të Kuvendit nuk i është mohuar e drejta e votimit”.

Opozita i dërgoi një kërkesë Kuvendit që ligji të anulohej, pasi e cilësoi procesin të manipuluar. Kërkesa e opozitës bazohej në faktin që deputeti Vangjel Tavo nuk ishte në Kuvend, ndërkohë që rezultonte se kishte votuar, pasi me kartën e tij votoi Robert Bitri, ish-deputet i LSI-së, tashmë i pavarur.

Për këtë arsye opozita vendosi sot që të bojkotonte Kuvendin.