Arbëri

Vlerësohet e kundërligjshme bartja e 5 milionë eurove nga Fushë-Kosova

E kundërligjshme është vlerësuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bartja e 5 milionë eurove të hyra të Komunës së Fushë-Kosovës nga viti 2021. Kësaj komune i kishin mbetur të pashpenzuara më shumë se 5 milionë euro nga të hyrat vetjake, të cilat i kishte bartur në mbledhjen e muajit janar. Por, pas vlerësimit të ligjshmërisë nga MAPL-ja, ky vendimi i Kuvendit Komunal është vlerësuar si i kundërligjshëm.

KOHA është në pritje të përgjigjeve nga MAPL-ja që nga data 7 mars, por ato deri në kohën e raportimit kanë munguar. Detaje nuk ka dhënë as kryesuesi i Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës, Ali Ismaili. Në një përgjigje me shkrim, ai ka thënë se vendimin për bartjen e 5 milionë eurove të pashpenzuara e kanë ndryshuar në mbledhjen e muajit shkurt 2022.

“Vendimi është në procedurën e vlerësimit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve”, ka thënë ai.

Ismailit i janë kërkuar edhe vendimet e MAPL-së që tregojnë për msopërputhjet ligjore të këtij vendimi, por ai nuk i ka dërguar.

KOHA ka raportuar edhe në muajin shkurt për bartjen e këtyre mjeteve nga Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës. Kjo shumë është gati sa gjysma e buxhetit të kësaj komune dhe nga opozita kjo mbetje ishte vlerësuar si keqmenaxhim e keqplanifikim. Sipas tyre, kjo mbetje e të hyrave nuk arsyetohet përderisa nëpër shkollat e Fushë-Kosovës mungojnë edhe gjërat elementare.

Ndërkohë, bartjen e këtyre mjeteve është munduar ta arsyetojë nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi. Sipas tij, si komunë kanë arritur të arkëtojnë më shumë të hyra vetjake sesa që kanë planifikuar, por që pjesën e mbledhur në tre muajt e fundit të vitit nuk kanë mundur ta alokojnë. Pastaj, sipas tij, disa operatorëve të papërgjegjshëm janë detyruar t’ua shkëpusin kontratat, ndërsa disa projekte tjera nuk janë realizuar për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.